Manastiri i Deçanit

Manastiri i Deçanit midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv

Edhe pse çështja e pronës së Manastirit të Deçanit – i cili ndodhet rreth 100 kilometra në perëndim të Prishtinës – ka gati gjashtë vjet që është “zgjidhur juridikisht”, problematika mbetet e papërfunduar.

Prej vitesh, ajo endet midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv të Kosovës.

Më 4 shkurt, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e tij se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për t’i detyruar autoritetet lokale të Deçanit që t’ia kthejnë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyje, është i bazuar në “politikën diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997, raporton Radio Evropa e Lirë.

Udhëheqësi i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mori vendim për t’ia dhuruar atë pronë Manastirit.

Kurti tha se Qeveria e tij do të përpiqet t’i ruajë të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit, por shtoi se edhe liderët fetarë duhet të bëjnë pjesën e tyre, gjegjësisht të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe marrëveshjes me popullatën lokale në Deçan.

Autoritetet lokale në Deçan besojnë se 24 hektarët tokë dhe pyje janë të ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe me këmbëngulje refuzojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili është marrë në maj të vitit 2016 dhe është përfundimtar dhe obligues për të gjitha palët.

Këto autoritete konsiderojnë se Gjykata Kushtetuese e legalizoi vendimin e Millosheviqit.

Reagimi i Dioqezës

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit reagoi ashpër ndaj deklaratës së fundit të kryeministrit të Kosovës, duke vlerësuar se autoritetet kosovare po bëjnë “fushatë sistematike të diskriminimit dhe armiqësisë së hapur ndaj Kishës Ortodokse Serbe”.

Dioqeza tha se zbatimi i vendimit të Gjykatës për pronën e Manastirit të Deçanit është “kusht për të treguar se dialogu nuk është vetëm një shfaqje për kamera dhe për zyrtarët e huaj”.

Sipas kësaj dioqeze, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë trajtohet si institucion politik ose si diçka përmes së cilës ushtrohet ndikim politik, gjë që, siç thuhet në deklaratë, nuk ka asnjë bazë.

“Ne besojmë se nuk ka asnjë procedurë, nga viti 2000, që është ndjekur kaq shumë dhe është kaq e politizuar, jo nga Kisha jonë, por nga institucionet vendore”, tha Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Manastiri i Deçanit

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deklaroi se vendimi i saj nuk ishte zbatuar dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të Kosovës që të ndërmarrë veprime të mëtejme, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Në vendimin për moszbatimin e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese theksoi se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por u tha se një vlerësim i tillë i takon prokurorit të shtetit, në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të lejojë Manastirin e Deçanit të regjistrojë në kadastër 24 hektarët tokë dhe pyje.

Çka kërkuan përfaqësuesit ndërkombëtarë?

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të janarit, tha se autoritetet në Kosovë duhet t’i respektojnë të drejtat e komuniteteve pakicë dhe kërkoi që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Pikërisht për presionin ndërkombëtar flet edhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri:

“Veçanërisht duhet përmendur letra e sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken, për shkak të marrëdhënieve shumë specifike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Situata aktuale ka marrë trajtën e një këmbënguljeje dhe të moslëshuarjes pe nga ana e përfaqësuesve politikë të shteteve të fuqishme dhe për këtë arsye përfaqësuesit e Kosovës, e veçanërisht kryeministri Kurti, janë në pozitë të palakmueshme”.

Kush i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese?

Arsim Bajrami, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, në një deklaratë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, tha se të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme dhe se askush nuk ka të drejtë ankese.

Por, ai theksoi se në Kushtetutën e Kosovës nuk është specifikuar qartë dënimi për ata që nuk e respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk ekziston ndonjë organ përgjegjës për zbatimin e vendimeve [të Gjykatës Kushtetuese], siç është policia apo institucionet e sigurisë”, tha Bajrami.

Çka mund të bëjë Kurti?

Sociologu Artan Muhaxhiri vlerëson se për “tensionet” e tilla ndërmjet Kishës dhe autoriteteve në Kosovë, janë fajtore të dyja palët.

“Përfaqësuesit e Kishës nuk duan ta pranojnë realitetin pas vitit 1999 [pas përfundimit të luftës], e sidomos pas vitit 2008 [kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia]. Por, nga ana tjetër, liderët politikë të Kosovës nuk kishin asnjë strategji, si ofertë në formën e alternativave pragmatike”, thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, 99 për qind e marrëdhënieve ndërmjet pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë dhe institucioneve të Kosovës janë të politizuara, andaj është e vështirë të bëhen hapa përpara.

“Besoj se ai [kryeministri Albin Kurti] do të përpiqet të gjejë një mënyrë për të vonuar zbatimin [e vendimit të Gjykatës Kushtetuese] pafundësisht, sepse njohja nga ana e tij e këtij vendimi do të nënkuptonte lëvizje gjigante ideologjike për të – dhe ai nuk e dëshiron këtë, për asnjë çmim”, thotë Muhaxhiri.

Kurti konsideron se nuk janë analizuar të gjitha mundësitë ligjore para se të merret vendimi në favor të Manastirit.

Për të është për t’u habitur që Manastirit të Deçanit i është njohur e drejta e palës në procedurë, por edhe fakti që Gjykata Kushtetuese e Kosovës i është bashkuar procesit, sepse, sipas tij, Manastiri i Deçanit, në kuptimin juridik, nuk ka identitet juridik të pavarur dhe pala tjetër në gjyq duhet të jetë Kisha Ortodokse Serbe.

Por, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një “çështje e përfunduar” dhe se institucionet e Kosovës duhet ta zbatojnë atë.

“Ky rast nuk mund të kthehet në Gjykatën Supreme, sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë, është punë e kryer”, thotë ai dhe shton se është koha që Prokuroria e Kosovës të reagojë për këtë rast.

Manastiri i Deçanit ka edhe një mosmarrëveshje me autoritetet lokale në Deçan, e ajo është ndërtimi i rrugës kryesore Deçan – Plavë. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge po zhvillohen përmes Zonës së Mbrojtur të Manastirit dhe janë ndërprerë disa herë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës apo të bashkësisë ndërkombëtare.

Gjithashtu, është edhe çështja e kishës së papërfunduar të Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë, e cila gjendet në oborrin universitar. Universiteti i Prishtinës pretendon se objekti është ndërtuar ilegalisht në tokën universitare në vitet ’90, gjatë regjimit të Millosheviqit.

Kjo është arsyeja përse Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë është duke zhvilluar kontestin me Universitetin e Prishtinës, që nga viti 2012.

Ndërtimi i kësaj faltoreje nisi në vitin 1992 nga peshkopi i atëhershëm, e më vonë edhe patriarku serb Pavle, por shqiptarët e Kosovës e cilësuan atë si provokim politik.