Manaj: Sondazhi i Bislimit të LVV’së nuk është serioz për LDK’në

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Shkëmb Manaj, e ka konsideruar si jo-serioz sondazhin e realizuar nga anëtari i LVV’së, Besnik Bislimi, i cili e vë Vetëvendosjen shumë më përpara sesa partitë e tjera.

Manaj, në T7 ka thënë se sondazhi nuk ishte serioz, dhe se është projektim i Vetëvendosjes.

“Sondazhet janë të projektuara nga VV. Është vështirë që tash të matet elektorati i Kosovës, sepse ende nuk kemi hyrë në garë zgjedhore. Për neve ky sondazh nuk është serioz”, ka deklaruar ai.

Manaj, ndër të tjera, ka folur edhe lidhur me deklaratën e bashkëpartiakut të tij, Faton Bislimit, i cili tha se LDK dhe Vjosa Osmani duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët për të mirën e vendit.

“LDK është e unifikuar në kuadër të strukturave, ne besojmë që secili zyrtar duhet të japë kontributin e vetë që ta forcojë atë. Unë mendoj që kushdo që vlerëson se ka rrugë tjetër, atëherë është përcaktim i tyre. Unë konsideroj që secili zyrtar i LDK’së të jetë pjesë e listës së kësaj partie. Askush nuk mund të thirret në emër të LDK duke krijuar lista të reja”, ka shtuar ai.