Manchester Unitedi dëshiron ta largojë nga skuadra Alexis Sanchezin, mirëpo situata e tyre vështirësohet kur merret parasysh që klubi duhet t’ia paguajë atij 13.9 milionë euro.
Sulmuesi kilian Alexis Sanchez ka dështuar te Manchester Unitedi që kur u transferua nga Arsenali para 16 muajve, në një marrëveshje katërvjeçare e gjysmë, me pagë prej 500 mijë funtave në javë.
Pasi Sanchez ka arritur ta shënojë vetëm një gol në të gjithë sezonin e Premierligës, Manchester Unitedi dëshiron ta largojë atë nga skuadra në mënyrë që të ketë hapësirë për transferimin e lojtarëve të rinj.
Interi është i interesuar për Sanchezin, mirëpo ata nuk janë të gatshëm ta blejnë kilianin për shkak të pagës së tij të lartë. Opsioni i vetëm, sipas The Mirror, do të ishte huazimi i Sanchezit te Interi për një sezon, por “Djajtë e kuq” do të duhej t’ia pagunin atij gjysmën e rrogës – 250 mijë euro në javë.
Trajneri Ole Gunnar Solskjaer nuk dëshiron ta ketë në skuadër Sanchezin për sezonin e ardhshëm dhe ai dëshiron ta përforcojë skuadrën në mënyrë që të përfundojë në një pozitë më të mirë sezonin tjetër.
Me skuadrën aktuale, Manchester Unitedi përfundoi në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës, duke e humbur kështu mundësinë që të luajnë në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër. Ata do të duhet të pajtohen me pjesëmarrjen në Ligën e Evropës.
Mungesa e klubit në Ligën e Kampionëve e vështirëson situatën e klubit sa i përket transferimeve, pasi që yjet më të mëdhenj në futbollin evropian nuk dëshirojnë të transferohet te klube që nuk garojnë në skenën më prestigjioze të Evropës.







