Malta

Malta organizon bisedime dyditore të formulës së paqes për Ukrainën

Bisedimet dyditore mbi planin e Ukrainës për paqe po zhvillohen në Maltë me pjesëmarrjen e më shumë se 65 vendeve, por jo edhe Rusisë, thanë zyrtarët maltez dhe ukrainas.

Ky takim i delegatëve të sigurisë kombëtare është raundi i tretë i bisedimeve të tilla në muajt e fundit. Ukraina i sheh ato si një mundësi për të fituar mbështetje për planin e paqes prej 10 pikësh të presidentit, Volodymyr Zelenskyy nga vende në mbarë globin, veçanërisht pasi konflikti në Lindjen e Mesme rrezikon të largojë fokusin nga Ukraina.

Rusia, e cila nuk ishte e ftuar në asnjë nga takimet, e ka hedhur poshtë nismën si të njëanshme.

“Përpjekjet diplomatike të Ukrainës po japin rezultat, pasi mbështetja ndërkombëtare për formulën e paqes në Ukrainë po rritet”, shkroi kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, në X, para seancës hapëse, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Raundi fillestar i bisedimeve në Kopenhagë në qershor pati vetëm 15 pjesëmarrës, duke u rritur në 43 për raundin e dytë në Jeddah në gusht.

Në fjalimin e tij në konferencë, Yermak vuri në dukje se, ndërsa gjithnjë e më shumë shtete po i bashkohen zhvillimit të planit të Zelenskyy-t, “Rusia do të duhet të dorëzohet para komunitetit ndërkombëtar. Ajo do të duhet të pranojë kushtet tona të përbashkëta”.

Ai më pas specifikoi se pesë nga 10 pikat e planit do të diskutohen në bisedimet e fundjavës: siguria bërthamore, siguria e energjisë, siguria ushqimore, lirimi i të burgosurve të luftës dhe të dëbuarve dhe rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës.

Në fjalën e tij të hapjes, ministri i jashtëm i Maltës, Ian Borg, tha se pjesëmarrja e lartë ishte një “votë besimi ndaj Maltës si ndërmjetësues i paqes”, duke përsëritur mbështetjen e vendit për Ukrainën.