Kosovë

Malta hap konsullatë në Kosovë, Remzi Ejupi emërohet konsull nderi

Remzi Ejupi nga tani është Konsull Nderi i Maltës në Kosovë, emërimi i tij është bërë mbrëmë në Prishtinë, nga ambasadorja jo rezidente e Maltës në Kosovë, Dr. Scerri Ferrante.

Në këtë ceremoni morën pjesë shumë figura të njohura politike, diplomatë vendor dhe të huaj si dhe mysafirë special që kishin ardhur nga Malta.

I sapo emëruari në këtë pozitë është shprehur i nderuar me pozitën që ka marrë, ndërsa është zotuar se do të rris bashkëpunimin në tregti, ekonomi, kulturë dhe turizëm mes Maltës dhe Kosovës.

“Do të bëj maksimumin që të hap dyert për pronarët e bizneseve dhe të referoj interesin tregtar me ndihmën e subjekteve, si Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqatat Tregtare, si STIKK dhe ICK, ku jam i informuar se kompanitë kosovare tashmë kanë marrë pjesë në takimet B2B dhe në forumin e biznesit në Maltë këtë vit, organizuar nga Dhoma e Tregtisë së Maltës, pas propozimeve të Ambasadores së Maltës”, është shprehur Ejupi në ceremoni para të pranishmëve.

Ai gjithashtu përmendi edhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e turizmit duke paralajmëruar një linjë të re direkte Prishtinë – Valleta pas liberalizimit të vizave i cili pritet të hy në fuqi nga 1 janari 2024.

“Fluturimet direkte jo vetëm që do të rrisin turizmin, por edhe aktivitetet tregtare dhe ekonominë e të dy vendeve. Kjo do të çojë në mundësi tregtare midis të dy vendeve dhe në këtë mënyrë, do të rritet edhe bashkëpunimi i mëtejshëm nga pikëpamja e biznesit”, u shprehu ai.

Duke falënderuar të pranishmit, Ejupi tha se është nderë  të përfaqësoj Maltën si Konsull Nderi dhe së bashku me Ambasadoren punojmë për të rritur bashkëpunimin dhe marrëdhëniet midis dyja vendeve.

Në anën tjetër edhe ambasadorja Dr. Scerri Ferrante, e përgëzoi Ejupin për emërimin si Konsull Nderi, ndërsa tha se pret që me të, të punojë për thellimin e bashkëpunimit mes Maltës dhe Kosovës në të gjitha fushat me interes të dy palëve.