Agon Maliqi

Maliqi: Rezistenca kundër shesheve është rezistencë e kulturës dominuese të pashallarëve dembelë

Analisti Agon Maliqi, ka thënë se mbështet këdo që i lufton veturat dhe duhanin në hapësirat publike.

Maliqi përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar pasi në Prishtinë pritet të mbahet protestë kundër mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”.

Ai ka thënë se rezistenca kundër shesheve është kulturë e “pashallarëve dembelë që çdo gjë publike e shohin në shërbim të stilit të tij/saj të jetesës”

“Rezistenca kundër shesheve, hapësirave publike apo korsive të biçikletave është rezistencë e kulturës dominuese të pashallarëve dembelë që çdo gjë publike e shohin në shërbim të stilit të tij/saj të jetesës, dhe të cilët me ose pa vetëdije e prodhojnë këtë rreth vicioz, ku edhe ata që nuk duan të ecin me makinë detyrohen ta marrin sepse nuk kanë ku të ecin.” – ka shkruar ndër të tjera ai.

Shkrimi i plotë:

“Kulti i kerrit” si shënjues i statusit social, bashkë me adhurimin e duhanit, janë ndër veset më shkatërruese të qyteteve shqiptare. Qytetet tona ekzistojnë për njeriun që del me kerr për me pi kafe dhe cigare. Ato nuk kanë hapësira publike dhe bëhen të pajetueshme sepse ekzistojnë për të akomoduar teke të vozitësve që përtojnë të ecin 1 kilometër apo të marrin autobusë, si dhe për të akomoduar duhanpirës. U bë ligji për ndalimin e duhanit. Rezultati? Shpërthimi i “anekseve” të lokaleve për duhanpirës që i kanë uzurpuar trotuaret dhe hapësirat publike. Ndërkohë mania për të shkuar me makinë deri para derës së vendit ku po shkon prodhon jo vetëm trafik, por edhe nuk lë vend për trotuare, sheshe, korsi për autobusë. Rezistenca kundër shesheve, hapësirave publike apo korsive të biçikletave është rezistencë e kulturës dominuese të pashallarëve dembelë që çdo gjë publike e shohin në shërbim të stilit të tij/saj të jetesës, dhe të cilët me ose pa vetëdije e prodhojnë këtë rreth vicioz, ku edhe ata që nuk duan të ecin me makinë detyrohen ta marrin sepse nuk kanë ku të ecin. Përfituesit kryesorë? Qendrat tregtare… si “zëvendësuese” të funksionit të qytetit. Mbështetja ime shkon për këdo që i shpall luftë të pamëshirshme kerreve dhe duhanit në hapësira publike.

VIDEO BONUS: Bulevardi Xhorxh Bush në Prishtinë