Maliqi për kushtëzimin e Francës: Ndërlidhja s’ka logjikë, kryekëput vendim politik i lidhur me dialogun

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, e ka konsideruar të palogjikshëm kushtëzimin e Francës për liberalizim të vizave për Kosovën përmes sistemit ETIAS.

Maliqi thotë se ky sistem edhe ashtu pritet të funksionalizohet vitin e ardhshëm; ndaj, sipas tij, ndërlidhja e këtij sistemi me vendimin për vizat e bën të duket si vendim politik i lidhur kryekëput me dialogun.

“Ndërlidhja e këtij sistemi me vendimin për vizat nuk ka kurrëfarë logjike, por njësoj si vitet e mëparshme duket vendim kryekëput politik i lidhur me dialogun, i cili mundet me u ndryshu në takimin e radhës. Vendim thellësisht i padrejtë, por i paralajmëruar gjithsesi për shkak të peshës që po ia japin dialogut në kontekstin e luftës në Ukrainë”, shkroi ai në Facebook.

Politologu po ashtu tha se kjo po bëhet ngase BE po kërkon çdo opsion të mundshëm për të penguar liberalizimin e vizave.

“Neve na kanë kapë në këtë pikë nevralgjike sepse s’po kanë për çka tjetër me na kapë, dhe sepse këtu në këtë pikë elementare e kemi nguju veten qysh prej demarkacionit dhe taksës 100%. Njëjtë nuk do të na mbështesin as për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, shkroi tutje Maliqi. /Reporteri.net/.

Postimi i tij:

Ky sistemi ETIAS pritet të vihet në funksion në nëntor 2023 dhe do të vlejë për të gjitha vendet që kanë liberalizim – kur udhëton në BE duhesh thjesht me u regjistru online e me informu se po vjen. Ndërlidhja e këtij sistemi me vendimin për vizat nuk ka kurrëfarë logjike, por njësoj si vitet e mëparshme duket vendim kryekëput politik i lidhur me dialogun, i cili mundet me u ndryshu në takimin e radhës. Vendim thellësisht i padrejtë, por i paralajmëruar gjithsesi për shkak të peshës që po ia japin dialogut në kontekstin e luftës në Ukrainë. Serbisë para disa ditësh ia ndalën importin e naftës ruse (humbje vjetore rreth 600 milionë) dhe ia nisën procesin në parlament evropian për suspendimin e mundshëm të negociatave. Neve na kanë kapë në këtë pikë nevralgjike sepse s’po kanë për çka tjetër me na kapë, dhe sepse këtu në këtë pikë elementare e kemi nguju veten qysh prej demarkacionit dhe taksës 100%. Njëjtë nuk do të na mbështesin as për anëtarësim në Këshillin e Evropës.