Maliqi ironizon me Kurtin: Mos të ngutemi me dialogun, t’i dëgjojmë këshillat e Rusisë

Analisti kosovar, Agon Maliqi, njohësi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ka ironizuar skajshëm me qëndrimin e Albin Kurtit si kryeministër, se sa i përket negociatave me Beogradin nuk duhet ngutur.

Maliqi përmes një shkrimi në profilin e tij zyrtar ka cituar fjalët që ka thënë ambasadori rus në Beograd, Alexander Bocan Harchenko, se nuk duhet ngutur me dialogun dhe se vendosja e limiteve kohore dëmton dhe është armik i negociatave.

Tutje analisti kosovar me ironi thotë se ‘nuk duhet dyshuar në synimet e miqve rus’ dhe sipas tij ‘duhet pritur mos Rusia po e gjen ndonjë zgjidhje më të favorshme’

“Kosova nuk ka arsye për t’u ngutur. Duhet ta dëgjojmë këshillën miqësore të ambasadorit rus në Beograd i cili, sa i përket dialogut, së fundmi e ripërsëriti qëndrimin se sa i përket nismave të perëndimit “nuk ekziston diçka e re që do të mundësonte arritjen e kompromisit” dhe se “kufizimet kohore janë armik i kompromisit.” Pra po thotë kjo punë ma mirë le të pret sepse Rusia nuk është gati. Nuk duhet të dyshojmë asnjëherë në synimet e miqve tanë rus. Koha po punon për Kosovën. Të presim mos më vonë po na e gjejnë një zgjidhje më të favorshme. #reversepsychology”, ka shkruar Maliqi, raporton Gazeta Express.

Deklarimet se nuk do të ngutet me dialogun Kurti i ka bërë më 7 shkurt gjatë një vizite në Istog me rastin e dëmtimeve të mëdha që ishin shkaktuar nga erërat e forta.

“Ne në parim jemi për marrëdhënie të mira fqinjësore, jemi për marrëdhënie të mira bilaterale në frymën evropiane jemi edhe për dialog parimor e të përgatitur mirë e për këtë gjë kemi takuar edhe përfaqësuesit politik e diplomatik nga perëndimi si nga Brukseli po ashtu edhe nga Washingtoni. Në ditët në vijim prioritet i qeverisë sonë është përgatitja e buxhetit 2020, është programi qeverisë që del nga marrëveshja e koalicionit dhe është plani i punës së qeverisë. Nuk e neglizhojmë dialogun, nuk duhet të vonohemi për dialog por nuk duhet as të ngutemi”, kishte deklaruar Kurti.

Ndërkohë SHBA’të janë duke kërkuar me ngul heqjen e taksës pa e zëvëndësuar me reciprocitet me qëllim të rinisjes sa më të shpejtë të dialogut.