Maliqi: Clinton erdhi në Tiranë, për të dhënë një mesazh për Kosovën

Analisti Agon Maliqi tha në Euronews Albania, se ish-presidenti amerikan, Bill Clinton erdhi në Tiranë edhe për të dhënë një mesazh për Kosovën, por ky mesazh nuk duhet marrë në formë negative.

Maliqi tha se tashmë po ekziston një lloj trendi që çdo zë i perëndimit po duket sikur po sulmon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por duhet barë edhe se mos problemi është vërtetë te Kosova.

“Kjo logjikë konspirativiste, niset nga një supozim që i merr të mirëqenë tezat e qeverisë së Kurtit se ajo që po ndodh në Kosovë është ndarja, shpartallimi i Kosovës apo fundi i Kosovës, nëse i marrim për të mirëqena këto atëherë duhet të kontestojmë çdo njeri pasi kështu i bie të mendojmë se dikush do ti bëj keq Kosovës dhe këta po vijnë të na mashtrojnë”, tha ai.

“Po sikur të shikojmë që botëkuptimi në Kosovë është disi paranojak, është i gabuar dhe po çon drejt ndarjes. Duhet pak më shumë kujdes në sfidimin e absolutisht çdo zëri që vjen nga perëndimi për të dhënë mendimin e vetë për zhvillimet. Është bërë trend gjetja e armiqve, janë bërë të gjithë lobistë të Serbisë, të gjithë kundër Kurtit”.