Ministri

Mali i Zi s’ka pse të votojë kundër Kosovës në Interpol, thotë Darmanoviq

Mali i Zi do të votojë pro anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare të Sigurisë, INTERPOL.

Këtë e ka thënë Sërgjan Darmanoviq, ministri i Jashtëm malazez, gjatë një takimi të rregullt me përfaqësues të mediave në Podgoricë.

Ai ka theksuar se Mali i Zi nuk ka asnjë arsye që të votojë ndryshe nga hera e kaluar ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol.

Duke komentuar mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, Darmanoviqi ka thënë se Mali i Zi nuk mundet të ndikojë në atë që fqinjët merren vesh, por vetëm se u dëshiron çdo të mirë.

“Kemi të drejtë legjitime që t’i paralajmërojmë se nëse nisin me shkëmbim territoresh, kjo do të ishte hera e parë në Ballkanin Perëndimor dhe askush me siguri nuk mundet të thotë nëse do të ketë efekt domino. Dëshirojmë që ato marrëdhënie të stabilizohen dhe të stabilizojnë Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Darmanoviqi, raporton Ballkani.info

Shefi i diplomacisë malazeze tha se mbështet dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe se është mik i të dyja palëve.

“Mali i Zi është mik i tyre në çdo aspekt. Edhe në deklarata publike edhe në kontaktet me zyrtarët më të lartë. Stabiliteti i rajonit është në interesin tonë. Nuk dëshirojmë kriza e tensione politike në rajon. Nëse ka, vende të vogla si tonat do të jenë gjithmonë të ekspozuara”, u shpreh Darmanoviqi.