Ministri i Drejtësisë së Malit të Zi, Marko Kovaç, ka refuzuar kërkesën e Prishtinës për ekstradimin e shtetasit serb M.V. (61), për ndjekje penale për krime lufte kundër popullatës civile, i cili është arrestuar në Mal të Zi dhe ndodhet në paraburgim ekstradues.

“Gjykata konstatoi se janë plotësuar kërkesat ligjore, por ministri i Drejtësisë e ka refuzuar kërkesën për ekstradim, pasi mendon se është shkelur neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore”, raporton RTCG, transmeton Ballkani.info.

“Në vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për fillimin e hetimeve, nuk thuhet se cilat veprime dyshohet se janë ndërmarrë nga M. V, të cilat janë pjesë e veprave penale, por vetëm thuhet se pas 24 vitesh, dyshohet se është paraqitur një dëshmitar i cili e ka njohur fotografinë e tij në një album”, thanë burime nga Ministria malazeze.

Ata deklarojnë se ky nuk është rasti i vetëm në të cilin Prishtina kërkon që një shtetas i Serbisë t’u dorëzohet për krime lufte.

“Epo, momenti politik, marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës në aspektin e mungesës së bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të gjyqësorit të tyre dhe tensioneve të shtuara, të cilat kulmojnë me diçka që nxjerr në pah dyshimin se bëhet fjalë për përndjekje politike dhe sigurisht që bëhet fjalë për një person të moshuar. Është konstatuar se ekstradimi do të ishte në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, dhe baza dhe autoriteti për refuzim rrjedh nga ligji për ndihmë juridike ndërkombëtare në çështjet penale dhe Konventa evropiane për ekstradim”, tha Ministria.

Në shtator, policia malazeze arrestoi M. V. (61), shtetas i Serbisë, i cili dyshohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në vitin 1999, në territorin e Pejës. /Ballkani.info/