Mbështetje

Mali i Zi do të mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon.

Haradinaj ka njoftuar ministrin Boshkoviq rreth hapave të ndërmarrë për tranzicionin e FSK-së dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës, duke vlerësuar se Kosova dhe Mali i Zi kanë raporte të mira ndërfqinjësore.

Ai ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve mike duhet të vazhdojë edhe në fushën e sigurisë, në atë ekonomike dhe politike.

Ndërkaq, ministri Boshkoviq konfirmoi se Mali i Zi do të mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike, duke thënë se bashkëpunimi ekonomik, politik dhe në fusha të interesit reciprok ndërmjet dy vendeve mike është me rëndësi.