Si Kroacia, ashtu edhe Mali i Zi, janë duke e diskutuar mundësinë e ndalimit të eksporteve të armëve drejt Arabisë Saudite, për shkak të vdekjes së gazetarit disident, Jamal Khashoggi.

Vendet e tjera të rajonit, deri tani nuk kanë marrë ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me çështjen, që kur kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh këtë fundjavë se eksportet e tilla drejt mbretërisë së gjirit duhet pezulluar, për sa kohë vazhdon të ketë pyetje pa përgjigje që rrethojnë vdekjen e reporterit.

Përpara deklaratës së Merkelit, edhe politikanë të tjerë gjermanë kishin kërkuar ndërmarrjen e një lëvizjeje të tillë.

Ministria e Jashtme kroate ka pohur për “BIRN”, se Zagrebi është duke e diskutuar çështjen me partnerët e saj në Bashkimin Evropian, duke cituar për këtë shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ndërsa konfirmonte angazhimin e bllokut për lirinë e shtypit dhe mbrojtjen e gazetarëve.

Mali i Zi, po ashtu, edhe pse nuk është anëtar i Bashkimit Evropian, e bëri të qartë se i mbështet plotësisht pozicionet e Brukselit lidhur me politikën ndaj vendeve të treta në këtë zonë, përfshirë këtu kufizimet dhe sanksionet.

Ndërkohë nuk ka asnjë reagim nga vendet e tjera ballkanike, të cilat llogaritet të kenë fituar sasi të mëdha parash nga eksporti i armëve në Arabinë Saudite gjatë 5 viteve të fundit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2016, Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria dhe Maqedonia u shitën sauditëve armë dhe municione për një shumë që mbërrin në total 118 milionë euro.