Majlinda zbulon arsyen e festimit të veçantë në palestrën e mbushur me bjellorusë në “Minsk 2019”

Majlinda Kelmendi e ka shpjeguar arsyen e festimit pasi e siguroi medaljen e artë në Lojërat Evropiane. Xhudistja pejane thotë se i përshëndeti sportistët që po e përkrahnin, të cilët shtyheshin me krejt publikun, që ishte në anën e kundërshtares së Majlindës, ruses Natalia Kuziutina

Majlinda Kelmendi është rikthyer në Kosovë pas medaljes së artë që e fitoi në Lojërat Evropiane.

Xhudistja pejane ndër të tjera e ka shpjeguar edhe arsyen se përse festoi përpara një pjese të shikuesve që ishin të pranishëm në palestër.

Kampionia olimpike theksoi se ajo me këtë rast i respektoi ata që e përkrahën gjatë meçit, të cilët u përballën me pjesën dërrmuese të publikut bjellorus, i cili gjatë tërë kohës brohoriste për garuesen ruse, Natalia Kuziutina, të cilën e mposhti në finale.

“Për vetë faktin se ishim në Bjellorusi dhe garuesja me të cilën kisha me u ndesh ishte ruse, kështu që krejt salla e brohoriste emrin e Rusisë. Dhe, një numër i caktuar i sportistëve ishin me ne dhe mundoheshin të shtyheshin me krejt publikun. Dhe, në momentin që fitova u ktheva kah ata dhe ua bëra me dije që ne jemi këtu”, shpjegoi Majlinda në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Majlinda theksoi tutje se po e rikthen formën e dikurshme dhe se është gati për sfidat e mëdha që e presin.