Macroni, ultimatum imamëve ta pranojnë se “islami nuk është fe politike”

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka kërkuar nga liderët myslimanë që të pranojnë kartën e vlerave republikane për të shtrënguar edhe më shumë islamin radikal.

Macroni i ka dhënë ultimatum prej 15 ditësh Këshillit Francez për Besimin Islam që të pranojë këtë kartë. Karta e vlerave republikane thekson se islami është fe dhe jo lëvizje politike. Kjo kartë ndalon ndërhyrjet e huaja në grupet myslimane të Francës.

Macroni ka mbrojtur shekullarizimin francez pas tri sulmeve terroriste në muajt e fundit. Presidenti francez gjithashtu ka prezantuar masat për të luftuar atë që e ka quajtur separatizëm islamik në Francë. Këto masa përfshijnë një ligj që tenton parandalimin e radikalizmit. Një tjetër masë është edhe dënimi nëse zyrtarët publikë fyen me baza fetare.

Lideri francez u ka kërkuar liderëve të myslimanëve të Francës që të zotohen se nuk do të lejojnë asnjë ndërhyrje nga vendet islamike. Mediat kanë raportuar se në takim është diskutuar edhe për krijimin e një këshilli kombëtar të imamëve, që do të ishte përgjegjës për aprovimin e hoxhallarëve në vend.

Lideri i Këshillit Francez të Besimit Islam, Mohamed Mousavi, dhe kryeimami i Xhamisë së Parisit, Shams el-Din Hafez, kanë marrë pjesë në takim, pos përfaqësuesve të nëntë federatave që përbëjnë Këshillin Francez të Besimit Islam.

Kjo trupë zgjidhet në shkallë vendi dhe ngarkohet për të shërbyer si ndërmjetësues zyrtar me shtetin francez në lidhje me rregullimin e aktiviteteve fetare myslimane.

Presidenti francez raportohet të ketë deklaruar në takim se është e domosdoshme që “të dilet prej këtij konfuzioni”, duke theksuar se beson që një numër imamësh kanë qëndrime të dykuptimshme për këto çështje.

Macroni ka paralajmëruar se “nëse disa nuk e nënshkruajnë këtë kartë, ne do të nxjerrim përfundimet”, duke shtuar se “i ka shënuar propozimet e tyre”.

Një këshill i porsakrijuar i imamëve nuk do të ishte në gjendje vetëm të jepte leje për imamët, por do të kishte pushtet edhe për tërheqjen e atyre lejeve nëse konsiderohet se hoxhallarët po e shkelin “Kartën e Vlerave të Republikës”, ka kërkuar Macron.

Varësisht prej rolit të imamëve, ata duhet të kenë njohuri dhe ta flasin rrjedhshëm frëngjishten dhe të kenë kualifikime akademike të nivelit universitar.

Macroni shpreson se me krijimin e Këshillit Kombëtar të Imamëve do të largonte më shumë se 300 imamë të huaj nga Turqia, Maroku dhe Algjeria brenda katër vjetësh.

Prerja e kokës së mësuesit Samuel Paty, i cili muajin e kaluar ua kishte treguar nxënësve karikaturat e profetit Muhamed në orën e lirisë së shprehjes, ka ringjallur debatin për islamin në Francë.

Macroni ka mbrojtur shekullarizimin, që përbën themelin e Francës republikane dhe ripublikimin e karikaturave kundërthënëse, duke nxitur reagim të zemërueshëm nga mbarë bota myslimane. Ai është akuzuar edhe për persekutimin e myslimanëve në Francë, me autoritetet që së fundmi kanë marrë masa ndaj një morie organizatash duke iu referuar ligjit për separatizmin. Macroni edhe më parë kishte premtuar fushatë kundër “islamizmit”, duke nxitur kundërthënie dhe denoncim nga bota myslimane.

Protesta kundër islamofobisë shpërthyen në mbarë botën myslimane, përfshirë Afganistanin, Pakistanin, Bangladeshin, Malin, Mauritaninë, Libanin dhe Jemenin. Përplasje të drejtpërdrejtë ka pasur ndërmjet Macronit dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.