Macron në hapje të Samitit: Mirëpres faktin që Hoti e Vuçiq po ndihen përgjegjës për të bërë marrëveshje

Ka nisur Samiti i Parisit që po mbahet në mënyrë elektronike.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po merr pjesë në këtë samit të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në këtë video-samit, Bashkimi Evropian po përfaqësohet nga Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak. Kurse pala serbe po përfaqësohet nga presidenti Aleksandër Vuçiq.

Në hapje të këtij samiti, Macron tha se situata është me shumë rreziqe në aspektin e stabilitetit, ndërsa shtoi se zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në interesin e të gjithëve në Evropë.

“Është një situatë me shumë rreziqe sa i përket stabilitetit… Para një viti ishte Samiti i Berlinit me kancelaren Merkel e cila e ka fasilituar një rezolutë, dhe është në interesin e të gjithë evropianëve të gjendet zgjidhje e përshtatshme, e qëndrueshme”, deklaroi Macron.

Ai e ka mirëpritur faktin që Hoti dhe Vuçiq po ndjehen përgjegjës për të gjetur një marrëveshje të qëndrueshme.

“Unë do të doja ta përshëndes kryetarin e shtetit Vuçiq dhe kryeministrin Hoti që po e ndajnë me ne këtë ndjenjë përgjegjësie. BE do ta marrë në dorë lehtësimin e procesit të dialogut. Ka pasur mjaft rezultate të arritura me ndihmën e BE-së”, u shpreh Macron. “Është e domosdoshme tani që të kërkojmë një marrëveshje të këtij diskutimi që të jetë një përfundim legal, i obligueshëm dhe final”.