Osman Musliu

Martesat mes gjinive të njëjta, flet hoxha Osman Musliu: Nëse lejohen, t’u ndalohet adoptimi i fëmijëve

Projektkodi i ri civil i miratuar javë më parë nga Qeveria e Kosovës, nesër pritet t’u shkojë deputetëve për votim në Kuvend.

Projektkodi i ri civil, siç është propozuar e miratuar në Qeveri, ka nxitur debate të shumta në shoqërinë kosovare, ku janë përfshirë edhe bashkësitë fetare.

Demokracia.com lidhur me këtë çështje ka kontaktuar me hoxhën e njohur mulla Osman Musliu.

Ai është shprehur se Kosova nuk duhet të lejojë martesat mes gjinisë së njëjtë.

Mulla Osman Musliu thotë se nëse lejohen martesat, gjë që mund të bëhet vetëm nga imponimi ndërkombëtar, Kuvendi duhet ta shtojë në këtë Kod edhe një nen me të cilin ua ndalon atyre adoptimin e fëmijëve.

“Kuvendi i Kosovës nuk vendos për këtë punë, por prapaskenat e Kuvendit dhe ndodhë që s’kanë çare pa e miratu. Fetarisht është një prej veprave më të shëmtuara, që Zoti e ka zhdukur një popull për shkak të kësaj sëmundjeje. Atyre ndoshta ju vjen mërzi që po them sëmundje. Por, nëse Kuvendi i Kosovës patjetër është i detyruar për shkak të politikave botërore e OJQ-ve, pra nëse nuk ka çare pa e miratu këtë projektkod civil, kisha thënë që me shtu edhe një nen që këta njerëz të mos mund të adoptojnë fëmijë. Se ata nuk po dojnë fëmijë. Ata janë kundër ligjit të Zotit. Ata janë kundër jetës normale, sepse po dojnë mu martu mashkull me mashkull dhe femër me femër, le të bajnë çka të dojnë. Unë jam kundër miratimit të këtij kodi civil”, ka thënë mulla Osman Musliu për Demokracia.com.

Ai gjithashtu e ka komentuar edhe deklaratën e përbashkët të Bashkësive Fetare në Kosovë, të cilët e kanë dhënë sot gjatë ditës. Bashkësia Islame e Kosovës, Ipeshkvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës, së bashku kanë dalë me qëndrim rreth kodit civil, që pritet të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës.

Këto bashkësi fetare, pas konsultimeve mes vete, kanë kundërshtuar përfshirjen e martesës mes gjinive të njëjta brenda kodit civil. Por, Musliu thotë se qëndrimi i tyre nuk do të merret parasysh nga askush.

Sipas tij, liderët fetarë në Kosovë po të ishin vërtet liderë, do ta organizonin popullin që të mblidhej para Kuvendit për ta kundërshtuar martesën mes gjinive të njëjta.

“Këta veç kanë dalë kanë fol, deklaratë në hava, se kërkush nuk i bën hesap. Me pas kanë liderë të vërtetë fetarë kishin thirr protestë para Kuvendit dhe e kishin kundërshtu”, ka thënë ai.