Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi ka ndarë një tabelë me numrin e fletëvotimeve që kishin shpërputhje të kodit me kutitë e votimit.

Sipas Krasniqit, tabela që përmbanë numrin e afektuar të fletëvotimeve ka ardhur nga kompania “Cetis”, kompania sllovene e kontraktuar për shtypjen e fletëvotimeve.

“Sapo pranuam raportin me të gjeturat nga auditimi i bërë nga kompania Cetis ku vërtetohet që jo vetëm në Gjakovë dhe Mitrovicë, por në 18 komunat ku ka pasur balotazh janë shtypur gabimisht në disa fletëvotime kodet e vendvotimeve”, shkruan Krasniqi.

Sipas kësaj tabele, në të gjitha komunat që ishin pjesë e balotazhit të nëntë nëntorit ka pasur fletëvotime me shpërputhje të tilla.

Dyshime për këtë tabelë ka ngritur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami që thotë se është skandal që një kompani private të marr rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Paramendo, një kompani private ka marrë rolin e KQZ-së. A ka qasje kjo kompani nëpër kanta të votimeve, a? Skandal! Nëse kjo, megjithatë, është e vërtetë – atëherë ky është skandali më i madh elektoral në historinë e Kosovës. Urgjentisht nevojitet një hetim për të rikthyer besimin në procesin zgjedhor të drejtë dhe demokratik”, ka shkruar Behrami.

Në Mitrovicë të Jugut, sipas po të njëjtës tabelë që është pranuar nga kompania “Cetis”, janë të shtypura 116 dhe 8 janë pa kod.

Në Gjakovë, janë të shtypura 159 fletëvotime me kod gabim dhe 12 pa kod të vendvotimit.

Në Gjilan, 139 me kod gabim dhe 12 pa kod, në Dragash, 50 me kod gabim e 4 pa kod, në Kaçanik, 47 me kod gabim e 4 pa kod, në Klinë, 64 me kod gabim dhe 8 pa kod, në Fushë Kosovë janë 63 fletëvotime me kod gabim dhe 8 pa kod, në Obiliq janë 34 me kod gabim dhe 4 fletëvotime pa kod, në Rahovec janë 82 fletëvotime me kod gabim dhe 8 pa kod, në Pejë janë 157 fletëvotime që kanë gabime në kod dhe janë 12 pa kod fare.

Prishtina ka numrin më të lartë të fletëvotimeve më kod të gabuar, 292, sipas kompanisë “Cetis” dhe 20 fletëvotime janë pa kod. Në Prizren 257 fletëvotime janë me kod gabim dhe 16 pa kod.

Në Suharekë janë 93 fletëvotime me kod gabim dhe 8 pa kod, në Viti 67 me kod gabim dhe 5 pa kod, në Vushtrri 99 me kod gabim dhe 8 pa kod, në Junik tre fletëvotime janë me gabim e 4 janë pa kod, në Mamushë e Kllokot janë nga dy fletëvotime me kod gabim dhe në Mamushë katër janë pa kod e në Kllokot janë 3.