Partia Demokratike e Kosovës sot ka propozuar në Kuvendin e Kosovës themelimin e Komisionit Hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Pasi kjo iniciativë u përkrah nga opozita por jo nga mazhoranca, PDK-ja ka lëshuar sallën e Kuvendit.

Në një konferencë për media, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se si parti e përkrahin themelimin e një komisioni hetimor, por ka shtuar se forma e propozimit nga opozita ishte jashtëligjore.

Ajo ka thënë se opozita ka pasur qasje fyese ndaj deputetëve të pozitës, duke nxjerrë edhe konkluzione të Komisionit Hetimor, ende pa u themeluar ai.

“Ajo çka ne po shohim sot është një qasje kundërthënëse, ku po kërkohet mbështetja jonë por edhe u gjykuam ende pa nisur votimi”, ka thënë Kusari-Lila.

Në fund, Kusari-Lila ka deklaruar se largimi i opozitës nga Kuvendi ka pamundësuar votimin e disa marrëveshjeve që ishin në rend dite, në vlerë prej 100 milionë eurove.

Në konferencë për media ka folur deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili ka thënë se qasjen që po përdorin PDK, LDK dhe AAK, duket se janë më shumë kundër themelimit të një Komisioni Hetimor se sa pro themelimit të tij.

“Ne jemi për Komision Hetimor, por për themelimin dhe funksionimin në përputhje me Ligjin në fuqi…Nuk mund të na kërkohet diçka që e dimë se është në kundërshtim me Ligjin”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka ftuar opozitën që të reflektojë në mënyrë që të ulen së bashku të ndryshojnë rregullat e Ligjin që mundëson një hetim parlamentar dhe ta votojnë atë së bashku.