LVV-ja lëvdohet se siguroi vaksina, Kosova ato i mori falas

Pasi Aleanca Gavi në kuadër të iniciativës globale COVAX  dhuroi falas plot 100 mijë e 608 vaksina Pfizer për Kosovën ditën e djeshme, Lëvizja Vetëvendosje sot është lëvduar se vaksinat e dhuruara janë siguruar nga qeveria Kurti. Të gjitha llojet e vaksinave antiCOVID që kanë ardhur deri tani në Kosovë janë donacione, pasi Ministria e Shëndetësisë nuk e ka blerë asnjë të tillë.

Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook shkruan se për 66 ditë qeverisje janë siguruar 178 mijë e 230 vaksina dhe janë vaksinuar 60 mijë e 929 qytetarë.

“Për 66 ditë qeverisje: 178 mijë e 230 vaksina të siguruara dhe 60 mijë e 929 qytetarë të vaksinuar. Derisa numri i rasteve të infektimit po bie nga dita në ditë, pandemia ende nuk ka mbaruar. Andaj, kujdesi që na ka përcjellë këtë kohë duhet të na përcjellë edhe më tutje: ta mbajmë maskën, ta ruajmë distancën fizike dhe të kujdesemi për higjienën në mënyrë që ta kufizojmë përhapjen e virusit dhe të kontribuojmë në parandalimin e rrezikut të shkaktuar nga Covid-19”, thuhet në postim.

Kosova ka më së paku vaksina antiCOVID në krahasim me të gjitha shtetet e rajonit dhe më së paku qytetarë të vaksinuar.