Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota, megjithatë në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ajo gjithashtu është humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, sa i përket numrit të votave.
Katër vjet më parë LVV-ja kishe akumuluar plotë 438 mijë e 335 vota, të përkthyera në përqindje 50.2 për qind.
Më 9 shkurt ajo humbi mbi 102 mijë vota. Nga 97 për qind të votave të numëruara, LVV aktualisht ka 336 mijë e 249 vota, e përkthyer në përqindje 40.94 për qind.
Ndonëse e treta në renditje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritjen më të madhe të votave krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Nga 97 për qind të votave të numëruara, LDK aktualisht numëron plotë 145 mijë e 103 vota, apo 34 mijë e 118 vota më shumë se në vitin 2021.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka rritur numrin e votave, krahasuar me vitin 2021.
PDK aktualisht ka grumbulluar 181 mijë e 616 vota, apo 33 mijë e 331 vota më shumë.
Ndërkohë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në krahasim me vitin 2021 më 9 shkurt ka humbur vota.
Edhe pse garoi në siglën e Koalicionit “Për Kosovën Fituese” së bashku me Nisma Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët, AAK mori 61 mijë e 118 vota, apo 993 vota më pak se në vitin 2021.
Nga rezultatet preliminare për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit asnjë parti politike në Kosovë nuk do të mund të krijojë vetë Qeverinë e re.







