Lëvizjes Vetëvendosje i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 5,100 eurosh për pjesëmarrje të fëmijëve në fushatë zgjedhore duke iu referuar rastit me vajzën në një tubim në Vushtrri.

Sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, partia është obliguar që gjobën e shqiptuar ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh.

Gjoba erdhi pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Rreth kësaj çështjeje është deklaruar edhe drejtori i KD-së, Ehat Miftaraj përmes një postimi në Facebook, transmeton Klankosova.tv

“IKD mban përgjegjës dhe kërkon llogaridhënie nga shkelësit e ligjit, edhe në rastet kur shkelës i të drejtave të fëmijëve është Kryeministri në detyrë dhe lideri i partisë më të madhe në vend”, shkruan ai, transmeton Klankosova.tv.

Sipas ankesës së dorëzuar më 1 qershor, IKD të dielën e 31 majit kishte pranuar informacione se gjatë një tubimi të LVV-së të mbajtur në po të njëjtën ditë me fillim rreth orës 18:00, rnë Vushtrri, në skenë është përdorur një fëmijë nën moshën 15-vjeç.

IKD theksoi se në atë video, kryetari i LVV-së, njëherësh kandidati për kryeministër Albin Kurti, i ka dhënë hapësirë në skenë vajzës së mitur, e cila recitoi poezi me mesazhe politike, derisa e mitura kishte veshur bluzë me logo të LVV-së.