LVV e vendos në krye të Bordit të BQK-së njeriun që e kandidoi për deputet

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), të premten ka zgjedhur për kryetar të saj, Bashkim Nurbojën. Siç duket, Lëvizja Vetëvendosje ia ka mësyer fuqishëm Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK). Pasi në BQK u rehatua vëllai i presidentes Vjosa Osmani, Ramadani, dyshime të mëdha ka edhe për konkursin rreth guvernatorit të BQK-së. Kushdo që vjen aty, do të ketë punë me një kryetar të ri të Bordit. Aty nga dje është vendosur Bashkim Nurboja, ish-kandidat i VV-së për deputet, kryetar të Pejës e zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal, pasi mori besimet e Bordit.

Sipas një njoftimi bëhet e ditur se gjatë mbledhjes së mbajtur të premten Bordi u njoftua edhe me raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv.

“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 3 shkurt 2023, mori vendimi si në vijim: Bashkim Nurboja është zgjedhur kryetar i Bordit të Bankës Qendrore. Gjithashtu, Bordi u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv”, thuhet në njoftim.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Bordi i Bankës Qendrore përbëhet nga Guvernatori dhe katër (4) anëtarë joekzekutivë, të cilët ngarkohen me detyrën e aprovimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave, si dhe mbikëqyrjen e administrimit dhe të aktiviteteve të Bankës Qendrore.

Ditë më parë Banka Qendrore e Kosovës i ka dërguar në Qeveri dhe Kuvend edhe emrat për përzgjedhjen e guvernatorit të ri.Sipas BQK-së, pas përfundimit të veprimeve procedurale, në listën e kandidatëve janë Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli e Shkëndije Himaj.
Por Nurboja është i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë që sot e udhëheq Qeverinë e Kosovës dhe e mbizotërone me numra edhe Kuvendin e Kosovës. Vitë më parë, pra saktësisht 5 vitë më herë, z. Nurboja ishte kandidat për kryetar të Pejës nga ana e LVV-së. Madje, një gjë e tillë vërtetohet lehtësisht.

Në një njoftim nga ana e VV-së më 14 gusht të 2017, ku publikohej emrin i Nurbojës si kandidat për kryetar të Pejës, tregohej edhe për shkollimin e tij.

“Bashkim Nurboja ka marrë votat e anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë për kandidimin për kryetar të Pejës. Z. Nurboja ka përfunduar doktoraturën për ekonomi në Universitetin e Lubjanës. Magjistraturën e ka të përfunduar në Universitetin Staffordshire në Angli. Nga viti 2006 ka punuar si mësimdhënës Universitar, ne Universitetin e Prishtinës e më pas në Universitetin Haxhi Zeka dhe Kolegjin Universum. Bashkimi ka qenë pjesëmarrës në shumë konferenca akademike në SHBA dhe Evropë. Ka publikime shkencore në fushën e ekonomisë. I urojmë shumë suksese z. Nurboja dhe aktivistëve të Pejës!” – theksonte VV në faqen e saj në Facebook.