Lutfi Haziri mendon se duhet të shkohet drejt imunizimit publik: Të lirohen masat

Lutfi Haziri, kryetari i Komunës së Gjilanit, vlerëson se ka ardhur koha që të shkohet në drejtim të një imunizimi publik sa i përket koronavirusit.

Kreu i Gjilanit, thotë se me mbyllje hermetike nuk mund të luftohet kjo pandemi, por me lirim të masave kufizuese dhe me shtim të kujdesit, duke përdorur maska dhe masa tjera mbrojtëse në publik.

“Distancimi social ka dhënë efekte, por kemi neglizhuar distancimin në familje. Kam thënë edhe më herët ‘mos shko dhe mos prano mysafirë’. Ndryshe besoj se ka ardhur koha që të fillohet me imunizim publik”, ka thënë Haziri në Interaktiv të KTV-së.

Ai shpjegon se imunizimi publik nuk nënkupton heqjen dorë nga masat dhe kujdesi i shtuar. Madje, sipas tij, masat mbrojtëse duhet të bëhen kulturë në jetën publike tash e tutje.

“Hapja e sektorëve të mëdhenj të ekonomisë e ka tregu qartë se nuk kemi raste të reja, nuk janë burim i infeksionit, pasi është punuar sipas udhëzimeve. Duke e hapur edhe sektorin e shërbimeve shkojnë drejt një imunizimi publik, nuk mundemi me luftu këtë pandemi nëse mbyllemi hermetikisht”, ka thënë Haziri.

Nënkryetari i LDK-së, tha se me përjashtim të një rasti, të gjithë të tjerët burimin e infeksionit e kanë në familje. Aty sipas tij, nuk është bërë distancomi i duhur.

“Praktikisht nëse analizohen rastet, gjitha burimet e infeksioneve janë në familje, pos një rasti në Pediatri. Apeloj të mësohemi të dalim me masa mbrojtëse, të mos marrim shërbime nga njerëzit që nuk përdorin masa mbrojtëse dhe kështu gradualisht të bëjmë një imunizim publik”, ka shtuar ai.

Një politikë e ngjashme është aplikuar edhe në Suedi. Haziri thotë se Kosova nuk ka kushtet e saj, por ka moshën e re të popullatës.