Nënkryetari

Lutfi Haziri: LDK’ja s’ka pse t’i gëzohet rritjes së Vetëvendosjes

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për raportet e partisë së tij me partitë e tjera në vend.

Haziri ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se partia e tij, ndonëse zyrtarisht nuk i është bashkuar protestës së Lëvizjes Vetëvendosje kundër presidentit Hashim Thaçi dhe planit të tij për “korrigjim kufijsh” me Serbinë, ajo s’ka qenë kundër saj.

Haziri ka theksuar se LDK ka pasur një tolerancë ndaj protestës së VV’së, të mbajtur javë më parë.

Ai po ashtu ka thumbuar kolegët e tij partiakë, për të cilët ka thënë se “po i gëzohen rritjes së Vetëvendosjes”. Krejt kjo, sipas Hazirit, “për inat të Partisë Demokratike të Kosovës”.

Këtë qëndrim të kolegëve të partisë së tij, Haziri e ka quajtur “nonsens”.

Haziri ka thënë se anëtarëve të LDK’së duhet t’i interesojë vetëm rritja e partisë së tyre – dhe se ata duhet t’i gëzohen vetëm rritjes së LDK’së. /Express/