Partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, tashmë ka nisur procesin e brendshëm zgjedhor, process ky i cili ka nxitur reagime të shumta se kush do të jenë kandidatët për kryetar të kësaj partie.

Deri më tani vetëm kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, ka shpallur kandidaturën e tij të hapur për të udhëhequr këtë parti.

Shpallja e kandidimit të tij ka nxitur reagime.

Figura të rëndësishme të partive tjera opozitare Hazirin e shohin si njeriun i cili është më i afërt me Partinë Demorkatike.

Njëri ndër ta është edhe deputeti nga radhët e VV-së, Glauk Konjufca, i cili ka deklaruar se nëse në krye të LDK-së vjen Haziri, sipas tij, LDK-ja do të bëjë koalicion me PDK-në.

Ballkani.info ka kontaktuar kryetarin Haziri për të marrë një qëndrim rreth kësaj deklarate.

Ai tha se nuk dëshiron të komentoj asgjë deri më 12 prill, derisa Dardan Molliqaj të flasë për Glauk Konjufcën.

“Po e pres 12 prillin se çka po thotë Dardan Molliqaj për Glauk Konjufcën, pastaj unë flas”, ka thënë Haziri për Ballkani.info.

Kujtojmë se javë më parë deputeti nga PSD-ja Dardan Molliqaj në Kuvendin e Kosovës kishte akuzuar Konjufcën se ky i fundit kishe qenë pjesëtar i ish Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) i drejtuar për shumë vite nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Kësaj akuze Konjufca i është kundërvënë duke e paditur Molliqajn në gjykatë me arsyetimin se Molliqaj ka shpifur dhe se ai asnjëherë nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut. /Ballkani.info/