Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka pranuar se kanë pasur dy takime të fshehta me zyrtarët e Vetëvendosjes, me të cilët kanë biseduar për arritjen e një marrëveshje për të formuar qeverinë e re.

Haziri ka thënë se se ka pasur dy takime të fshehura, e kjo sipas tij është bërë për një arsye, të cilën ai e ka përmendur para mediave.

“Takimet e liderëve mund të mbahen në çdo kohë, është çështje e dakordimit të liderëve dhe ekipeve, ne jemi të hapur edhe VV’ja, për takimet eventuale do të ju njoftojmë, si zakonisht, përveç se në dy raste, negociatat kanë qenë të hapura, përveç se dy takime që janë mbajt në diskrecion, por ma shumë kemi pas nevojë me diskutu ma gjatë, dhe jemi mundu me kursu rolin e gazetarit në kushtet e dimrit”, ka thënë ai.

Mbrëmë Ballkani.info raportoi se në një restorant në Veternik janë takuar larg publikut lideri i VV-së, Albin Kurti bashkë me dy nënkryetarët e LDK-së, Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani.

Takimi tjetër sekret është mbajtur javën e kaluar në shtëpinë e Isa Mustafës në Prapashticë, pronë kjo që VV-ja i referohej si “Rançi i Isës”.

Ndërsa, Lufti Haziri ka theksuar se do të vazhdojnë të takohen me Kurtin deri sa të pajtohen për koalicion, para datës 3 shkurt, ku edhe pritet të votohet qeveria. /Ballkani.info/