Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka dalë me një reagim pas ndërprerjes së seancës, ku nuk kaloi propozimi për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
Lushtaku thotë se sot është e qartë për të gjithë se Albin Kurti është i dobët në çdo sferë të qeverisjes.
Ai shton se institucionet nuk po konstituohen, jo për ndonjë krizë reale, por për shkak të tekeve personale të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut, që po e mbajnë peng sistemin.
Postimi i plotë:
Shkeljet kushtetuese nuk kalojnë më lehtë, siç ndodhte në legjislaturën e kaluar kur i kishin numrat dhe shumicën absolute!
Sot, është e qartë për të gjithë se Albin Kurti është i dobët në çdo sferë të qeverisjes, nga ekonomia te drejtësia, nga politika e jashtme te funksionimi i institucioneve. Madje edhe përpjekja e tij për t’u viktimizuar nuk po kalon më në opinionin publik. Sepse tashmë dihet: çdo herë që dështon, ai nuk merr përgjegjësi, por kërkon fajtorë të tjerë.
Institucionet nuk po konstituohen, jo për ndonjë krizë reale, por për shkak të tekeve personale të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut, që po e mbajnë peng sistemin!
Ndërkohë, punëtorët e këtij vendi nuk kanë më as ku të protestojnë! Të drejtat e tyre po shkelen çdo ditë, pagat janë të ulëta dhe të pamjaftueshme për të përballuar rritjen e pandalshme të çmimeve! Qeveria është e shurdhër ndaj halleve të qytetarëve, sepse është shumë e zënë me mbrojtjen e interesave personale dhe me mbulimin e skandaleve të veta.







