Lushtaku: Po presim rikthimin e Veselit nga Haga që të zgjedhim kryetarin e ri të PDK-së

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, është deklaruar rreth zgjedhjes së kreut të ri të partisë.

Lushtaku ka thënë se për rezultatin që ka arritur PDK-ja në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, duhen reforma brenda partiake.

Ai është shprehur se PDK po pret rikthimin e ish-kryetarit Kadri Veseli nga Haga për të vendosur për të parin e partisë, shkruan Reporteri.net.

“Kjo varet tash nga kryesia e partisë dhe unë besoj fuqishëm që fillimisht do të kthehet lideri i PDK’së nga Haga. nëse jo atëherë me siguri që ne do ta marrim një vendim konform situatave që i kemi brenda Kosovës”, ka thënë Lushtaku për Express.

Të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje me 438 mijë e 334 vota ose me 49.95% të votave të përgjithshme.

Në vend të dytë u rendit PDK-ja me 148 mijë  e 296 vota përkatësisht 16.90% dhe e treta doli Lidhja Demokratike e Kosovës e cila pësoi humbjen më të thellë që nga themelimi i saj duke marrë vetëm 110 mijë e 978 vota ose 12.64% të votave të përgjithshme.