Lushtaku për letrat e burrit të Osmanit: Njeriu kur hyn në pushtet i duket vetja më i fortë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka folur për letrat që thuhet se Prindon Sadriu ua ka dërguar dy deputeteve të kësaj partie.

Lushtaku tha se është bërë e vështirë të flasësh edhe për çështje publike, dhe se për të ka qenë e papritur kur deputetes Ganimete Musliu i ka ardhur zarfi në emër të presidentes Vjosa Osmani.

“Është bërë vështirë edhe ta thuash çështjen publike. Për mua ka qenë e papritur kur znj. Musliu i ka ardhur zarfi në emër të presidentes Osmani dhe kur e hapë e sheh kërkesën nga Prindoni se duhet të kërkojë falje nëse do që të mos ta padis”.

“Jeta publike duhet të bëhet me argumente dhe kundër-argumente dhe jo me këso kërcënime të ulëta. Për momentin ka pasur kërcënime vetëm ndaj grave por jo edhe ndaj burrave, nuk besoj se do të shkojnë deri aty”, ka thënë Lushtaku në Klan Kosova.

Tutje, ai thotë se partisë në pushtet – Vetëvendosjes, po ua rikujtojnë se kjo parti ka fituar në mënyrë plebishitare, sepse sipas tij nganjëherë po harrojnë.

“E vërteta qëndron në disa fakte sepse numrat janë ata që janë dhe e vërteta është se kjo parti që ka ardhur në pushtet ka fituar në mënyrë plebishitare dhe këtë po ia rikujtojmë edhe ne kur nganjëherë po harrojnë”.

“Ndërsa, teoria prej praktikës po dallon shumë, prandaj lë shumë për të dëshiruar dhe nuk është reflektuar as nga fushata që e kanë pasur por as nga programi qeveritar dhe nuk e kemi parë asnjë iniciativë”, është shprehur Lushtaku.