Nënkryetari i PDK-së

Lushtaku mobilizohet në Skenderaj: Do të punojmë për fitore hatri i Thaçit e Veselit

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, është takuar sot me strukturat e degës së kësaj partie në Skënderaj.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Lushtaku ka bërë me dije se me ta kanë diskutuar për situatën e përgjithshme politike në vend pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Sipas Lushtakut, Skënderaj është bastion i palëkundur i PDK’së që nga paslufta. Ai ka thënë se do të punojnë fort për fitoren e radhës për hir të ish presidentit Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Skenderaj është bastion i palëkundur i PDK-së që nga paslufta. Skenderaj por edhe i gjithë lidershipi i PDK-së është i bashkuar si kurrë më parë, edhe për hirë të ish Presidentit Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që të punojë për fitoren tonë të radhës”, ka shkruar Lushtaku.

Postimi i plotë i tij:

Takova strukturat e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj. Diskutuam për situatën e përgjithshme politike në vend dhe veçanërisht situatën e fundit politike pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në Skenderaj ekziston një entuziazëm, vullnet e motiv i jashtëzakonshëm i të gjitha strukturave të degës, që ta japin maksimumin nga vetja, që Partia Demokratike e Kosovës të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Platforma jonë qeverisëse do të jetë më e mira. Ky program do ta ketë listën më të mirë për deputetë si dhe ekipën më të mirë qeverisëse, me në krye kandidatin tonë për kryeministër, profesorin e nderuar Enver Hoxhaj.

Skenderaj është bastion i palëkundur i PDK-së që nga paslufta. Skenderaj por edhe i gjithë lidershipi i PDK-së është i bashkuar si kurrë më parë, edhe për hirë të ish Presidentit Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që të punojë për fitoren tonë të radhës.

Për një qeveri me legjitimitet e shtet me dinjitet! SL