Lushtaku kërkon që spotet “Liria ka emër” të kthehen në orarin kryesor të RTK-së

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar që videoklipet e kampanjës “Liria ka emër”, të cilat i kushtohen ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale, të kthehen në oraret kryesore në televizionin publik.

Ai këtë e kërkoi derisa po raportonte bordi dhe menaxhmenti i RTK-së para Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.

“Nëse ju nuk i jepni prioritet këtyre spoteve, atëherë ju po tregoni se nuk keni respekt ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Prandaj, si transmetues publik ju bëj thirrje të reflektoni në këtë pikë sepse në fund të ditës ne jemi këtu falë angazhimit të atyre burrave që sot janë padrejtësisht në Hagë“, ka thënë Lushtaku.

Ndërkaq, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, ka thënë se ato spote vazhdojnë të transmetohen, por periudha kohore e emitimit të tyre varet edhe nga spotet e marketingut, duke qenë se RTK është në vështirësi financiare dhe ka nevojë për sa më shumë marketing.

“Spotet janë duke u transmetuar në RTK. Koha mund të ndryshojë pasi fatkeqësisht nuk jemi duke qëndruar mirë më marketing dhe në momentin kur ka më shumë kërkesë për marketing para lajmeve qendore ato mund të lëvizin. Drejtori i përgjithshëm i ka takuar disa nga personat që janë pjesë e organizimit ‘Liria ka emër’ dhe e di se jemi duke i pritur disa spote të gatshme nga kjo organizatë“, ka thënë Boletini.