Lushtaku ka një porosi për ministrin Vitia dhe Qeverinë e Kosovës

Deputeti nga radhët e PDK-së Mërgim Lushtaku, përmes një postimi të bërë në llogarinë Facebook, ka folur për gjendjen e krijuar nga koronavirusi, derisa i njëjti ka apeluar për kujdes dhe jo panik.

Lushtaku gjithashtu ka pasur edhe disa shqetësime të cilat i ka adresuar tek Qeveria dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ky është postimi i plotë i deputetit:

Vendi ynë po përballet me virusin Covid-19, i njohur ndryshe si Koronavirus. Panik nuk duhet të krijojmë në asnjë mënyrë, megjithatë duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe t’i përmbahemi rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.

Gjithashtu, falënderim dhe mirënjohje shprehim për shërbyesit shëndetësor, të cilët po angazhohen maksimalisht për tejkalimin e kësaj gjendje.

E nderuar Qeveri,
I nderuar ministër, Arben Vitia

Shumë qytetarë po ankohen se nuk po gjejnë produkte të caktuara siç është mielli. Poashtu, bizneset të cilat janë mbyllur për shkak të shpalljes së gjendjes emergjente shëndetësore do të kenë humbje të mëdha. Ka biznese të cilat edhe pse nuk punojnë, paguajnë qira dhe punëtorë. Si Qeveri a keni zgjidhje për këto çështje?

A do të marrin paga punëtorët e sektorit privat, të cilët nuk punojnë gjatë kësaj kohe?

Në disa barnatore janë ngritur çmimet e maskave, dezinfektuesëve, dorëzave dhe pajisjeve tjera. Çfarë po bën Qeveria për ta ndaluar ngritjen e çmimeve?

Për fund, vlerësoj se personeli mjekësor duhet të stimulohet me pagesë shtesë për kontributin e madh që po e japin për mposhtjen e Koronavirusit.

E lusim Zotin që Kosova dhe e gjithë Bota ta kalojë shpejt këtë pandemi!