Lushtaku: Ka bazë të mirëfilltë të pezullohet Ligji për Zyrtarët Publikë, legjitimon politizimin e administratës publike

Deputeti i Partisë Demokratike, Mërgim Lushtaku, në emër të PDK-së, ka dërguar sot në kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Në një konferencë për media, Lushtaku ka bërë të ditur arsyet pse kanë bërë një veprim të tillë.

Ai thekson se PDK ka parë që me këtë ligj sipas tyre po legjitimohet politizimi i administratës publike.

“Bashkë më Përparim Gruden, kemi ardhur në Gjykatën Kushtetuese për të paraqitur kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë për se ligjit për Zyrtarë Publikë. Që në mendojmë se kanë bërë një shkelje të radhës të Kushtetueses. Është shkelur dinjiteti i nëpunësve publik dhe civil, i qytetarëve të Kosovës, dhe kemi menduar që në katër pika të shkeljes së këtij ligji t’i paraqesim në gjykatë dhe mendojmë se ka bazë të mirëfilltë që Gjykata Kushtetuese, jo vetëm ta pezullojë por edhe ta shfuqizojë ligjin për Zyrtarë Publikë. Kemi parë që me Ligjin për Zyrtarë Publikë po legjitimohet politizimi i administrates publike dhe në një farë forme po nënçmohen dhe degradohen shërbyesit civil dhe në këtë formë po bëhet vizal i shtetit. Prandaj ne kemi konsideruar që në këto nene specifike të prezantojmë qëndrimet e PDK-së dhe ta kundërshtojmë këtë ligj.”, ka theksuar Lushtaku.

Deputeti i PDK-së, po ashtu është shprehur se të njëjtën gjë e ka theksuar edhe zyra e BE-së.

“Gjithashtu kemi parë që në ligj përmendet fraza përshtatshmëri që asnjëherë nuk është definuar me Ligjin për Zyrtarë Publik dhe me këtë përshtatshmëri vetëm theksohet më shumë pjesa e politizimit të administratës publike dhe këtë gjë e ka theksuar edhe zyra e BE-së.”, ka vijuar ai.

Kuvendi i Kosovës ditë më parë e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për zyrtarët publikë. 62 deputetë kanë marrë pjesë në votimin e këtij ligji, prej tyre 58 kanë votuar për, dhe katër kanë abstenuar.

Tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votim.