Sami Lushtaku

Lushtaku i reagon Sveçlës për rastin e Fazliut: Ai kastravec me na tregu qysh me u sill e qysh i ka kaluar koha “të fortëve”

Incidenti i të shtunës në mes të një polici dhe anëtarit të Organizatave të dala nga Lufta, Faik Fazliut, ka nxitur reagime të shumta e ndaj këtij rasti ka reaguar edhe ish kryetari i Skenderajt dhe ish komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Ai ka thënë se një pamje e tillë ku një ish pjesëtar i UÇK-së trajtohet në atë formë nga policia e Kosovës është e trishtueshme.

“Realisht e respektoj shumë policinë e Kosovës sepse është një institucion shumë i respektueshëm, mirëpo ajo që ka ndodh në Prizren me të vërtet është trishtuese me e pa një invalid të luftës në qat mënyrë. Unë nuk e di, unë kam folë me Faik Fazliun, edhe nuk e di qysh ka rrjedh si ngjarje po duke e njoft Faik Fazliun di njeri i qetë dhe nuk është njeri i konflikteve, unë besoj që një shpjegim policia e Kosovës duhet ta japë”, ka thënë Lushtaku.

Ndërsa një reagim të ashpër ai pati edhe ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili pas incidentit tha se “ka kaluar koha e të fortëve” dhe se “askush nuk është mbi ligjin”.

Lushtaku e ka quajtur Sveçlën “kastravec”, i cili po tenton të iu mësojë atyre se si të sillen.

“Jo me dal ai ministri si kastravec, e me na tregu se qysh duhet me u sjell e me na tregu se qysh i ka kalu koha “njerëzve të fortë”. Unë mendoj që para ligjit nuk ka njerëz të fortë por nëse policia është sjellë në atë formë me të vërtet është për keqardhje”, ka shtuar Lushtaku për Infokusin.

Kujtojmë se në pamjet e publikuara menjëherë pas rastit shihet se polici e ka shtyrë Fazliun duke e hedhur për toke, përderisa Inspektorati i Policisë së Kosovës ka nisur hetimet për rastin.

Fillimisht Fazliu u ndal për 48 orë e rasti u inicua “kansoje ndaj policit” e më pas u lirua.