Lushtaku: I gjithë populli masivisht duhet t’i thotë stop qeverisë “zdravo”

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, i cili gjatë seancës të së enjtes u përfshi në një përleshje fizike në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar sot, duke thënë se po merr mbështetje të madhe përmes telefonatave dhe mesazheve.

Sipas Lushtakut, Qeveria aktuale nuk e vlerëson kontributin e UÇK-së, përdhos veteranët, familjet e dëshmorëve, nuk ofrojnë zgjidhje për problemet reale dhe për të gjitha këto ai ka ftuar popullin që masivisht të ndalin Qeverinë, që ai e ka quajtur qeveria “zdravo”.

Shkrimi i plotë:

Dje, pas dhunës së ushtruar nga Qeveria e Zdravos, kam pranuar mijëra telefonata dhe mesazhe që nuk kam mundur t’u përgjigjem.

Duke ju falënderuar për mbështetjen tuaj, me krenari e them se e kemi obligim që këta mashtrues t’i largojmë sa më shpejt nga qeveria dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme!

Sepse, këta nuk e vlerësojnë kontributin e UÇK-së, përdhosin veteranët, familjet e dëshmorëve, nuk ofrojnë zgjidhje për problemet reale, nuk punojnë, fusin frikë në administratën shtetërore dhe ua bëjnë jetën e pa rehatshme në mënyrë që ata t’i lëshojnë vendet e punës që më pas t’i zëvendësojnë me militantët e tyre partiak, sektorin privat duan ta zhdukin nga veprimtaria ekonomike, pastaj intrigojnë dhe mashtrojnë qytetarët kinse po mbrojnë sovranitetin mirëpo në realitet i shërbejnë vetëm Serbisë dhe Rusisë.

Në arenën ndërkombëtare asnjëherë më parë pozicioni i Kosovës nuk ka qenë më i brishtë, mirëpo e rëndësishme për ta është që pozicioni dhe koordinimi i tyre të jetë i mirë me Milan Radojiçiq – ndërmjetësuesin e Vuçiqit.

Për këto dhe shumë arsye tjera të cilat vështirë se mund të përmblidhen në një status të vetëm, i gjithë populli më masivisht se kurrë duhet të zgjohet dhe t’i thotë stop qeverisë zdravo – qeverisë nostalgjike të Jugosllavisë.