Lewis Bennett

Lundruesi e vret gruan në det

Një burrë britanik i cili kishte deklaruar se gruaja e tij amerikane ishte zhdukur në det pasi pajisja e tyre e lundrimit ishte fundosur pranë bregdetit të Kubës, më vonë e pranoi se e ka vrarë atë. Lewis Bennett dhe Isabella Hellmann ishin martuar para tre muajve, kur burri lajmëroi se gruaja e tij është zhdukur.

Hetuesit policorë më vonë e kuptuan se pajisja e lundrimit ishte fundosur qëllimisht, ndërsa trupi i gruas nuk është gjetur ende. Të hënën, 41 vjeçari e pranoi akuzën për vrasje të pavullnetshme në një seancë gjyqësore në Florida. I dyshuari me shtetësi britanike dhe australiane do të qëndrojë në paraburgim deri në dhjetor nën akuzën për vrasje të shkallës së dytë.

Çifti ishin duke lundruar nga Kuba drejt banesës së tyre në Florida, kur Bennett e raportoi zhdukjen e gruas së tij përmes një thirrjeje SOS më 15 maj 2017. Ai kishte thënë se po fundoseshin dhe nuk e shihte askund gruan e tij. Sidoqoftë, autoritetet kishin dyshuar se ai e kishte vrarë gruan e tij, e cila ishte edhe nënë e një fëmije të çiftit. Një muaj pas zhdukjes së saj, ai kishte kërkuar që gruaja e tij të shpallej e vdekur.

Prokurorët dyshojnë se ai e vrau gruan e tij dhe më vonë kërkoi që ajo të shpallej e vdekur në mënyrë që të përfitojë nga pasuria e saj, përfshirë një banesë në Florida dhe paratë e deponuara në bankë. Gjatë hetimeve, u zbulua se ai poashtu kishte vjedhur monedha të vjetra, me vlerë prej rreth 30 mijë funtesh. Sipas ligjeve në fuqi, ai mund të përballet me një dënim maksimal prej 8 vitesh, shkruan “BBC”