Deputeti

Lumir Abdixhiku: Nuk ka grupacione brenda LDK-së

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se problemet e grumbulluara në parti tashmë janë tejkaluar.

“Fitorja e ardhshme e LDK-së dhe qeverisja jo për një mandat por afatgjatë e vë në pozicion të favorshëm pozicionin tonë politik. Nëse nuk arrijmë diferencat e vogla t’i zgjidhim mes vete atëherë s’kemi çka hipim në qeverisje të Kosovës”.

Abdixhiku ka thënë se brenda partisë ka persona me ambicie, por që mohon se ka ndasi.

“Nuk ka grupacione brenda LDK-së. Ambicionet janë legjitime për dikë që merret me politikë. Besoj se ka njerëz me ambicie brenda LDK-së. Qeverisja e LDK-së do të përcaktohet nga ekipi fitues dhe qetësia e brendshme partiake. Qëllimi i LDK-së është gjetja e unitetit brenda partisë, nëse e gjejmë këtë, pjesa e garimit në zgjedhje do të ishte fazë shumë e lehtë”.

“Zhvillimet e fundit kanë qenë të shpejta. Por LDK po formon dy platforma njëra për dialogun, tjetra për zgjedhjet. Fakti që kemi artikuluar vullnetin politik nënkupton se jemi të gatshëm për t’u futur në zgjedhje të parakohshme”.

“Edhe po të ketë divergjenca dhe dallime të veprimeve brenda partisë janë normale për një parti demokratike. Po besoj se sot jemi me një zë nën ombrellën e kryetarit të partisë dhe kjo të jep garanci se mund të garosh pa barrë të madhe përballë kundërshtarëve politikë. Gjenerata e re që ka ardhur në LDK nuk ka ardhur për të mposhtur gjeneratën e vjetër. Ideja e prurjes së gjeneratës së re s’ka qenë pastrimi i partisë. Është mjet shtesë për të marrë pëlqim. Debatet e brendshme janë shenjë e pjekurisë politike”.