Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sot në Junik, ku ka shprehur mbështetje të fuqishme për kryetarin aktual të komunës, Ruzhdi Shehu, dhe për LDK-në në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Abdixhiku kujtoi besimin që qytetarët e Junikut i dhanë LDK-së katër vite më parë, duke theksuar se Ruzhdi Shehu “nuk ka zhgënjyer” dhe ka udhëhequr me nder e përkushtim.
“Në Junik, me të parën! Katër vite më parë, Juniku i dha LDK-së besimin, i dha mandatin, i dha nderin ta udhëheqë. Kryetari Ruzhdi Shehu e mbajti fjalën. Sot kërkojmë të vazhdojmë punën e nisur dhe ta mbështesim atë për katër vjet të tjera në misionin transformues për komunën e tij të jetës,” deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se Shehu është “kryetari i punës, i fjalës së mbajtur dhe i besës së dhënë”, ndërsa shprehu bindjen se më 12 tetor Juniku “do të flasë me një zë” për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe projektet e saj për komunën.
Ky tubim vjen si pjesë e fushatës së LDK-së për zgjedhjet lokale, ku Abdixhiku po viziton disa komuna për të mbështetur kandidatët e partisë.







