Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në hapjen e zyrave të reja të LDK-së në Skënderaj, duke e cilësuar këtë si pjesë të misionit historik të partisë për shtrirjen e rugovizmit dhe forcimin e përfaqësimit qytetar në gjithë Kosovën.
Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi simbolikën historike dhe kombëtare të Drenicës, duke kujtuar figurat e njohura të rezistencës dhe atdhetarisë shqiptare.
“Mes kësaj vatër të djathtë, që i dha vendit patriotë të pushkës e dijes – nga Shaban Polluzha, te Familja Jashari, te vëllezërit Geci e veprimtarët historikë të Lidhjes, ndjehet fort pesha e historisë, e sakrificës dhe e qëndresës shqiptare”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se hapja e zyrave të reja shënon nisjen e një kapitulli të ri politik në Skënderaj dhe në gjithë rajonin e Drenicës, me fokus në përfaqësim më të madh qytetar, zhvillim dhe shtetndërtim.
“Sot, në këtë tokë krenarie e dinjiteti, po ndërtojmë një kapitull të ri përfaqësimi. Me respekt për rrënjët, me besim te njerëzit dhe me bindjen se edhe Drenica meriton zërin e saj të fuqishëm në projektin tonë të bashkimit, zhvillimit dhe shtetndërtimit”, deklaroi kreu i LDK-së.
Gjatë vizitës në Skënderaj, Abdixhiku ka vlerësuar edhe angazhimin e Fadil Gecit për organizimin e strukturave të partisë në këtë komunë.
Ai bëri të ditur se i ka kërkuar Gecit dhe strukturave lokale zgjerimin e LDK-së në çdo fshat të Skënderajt përmes krijimit të nëndegëve të reja.
“E urova Fadil Gecin për punën, angazhimin dhe përkushtimin në çdo hap të organizimit gjeografik të LDK-së. I kërkova shtrirjen në nëndegë në secilin fshat të kësaj komune që i ka dhënë aq shumë Kosovës”, tha Abdixhiku.







