Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me ish presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kanë zhvilluar një takim me strukturat e LDK-së në Fushë Kosovë, në kuadër të mobilizimit për fushatën elektorale.

Abdixhiku bëri të ditur se në takim morën pjesë aktivistë, këshilltarë dhe veprimtarë të shumtë, me të cilët diskutuan për organizimin dhe angazhimin në prag të zgjedhjeve.

“Sot, takuam strukturat tona në Fushë Kosovë, si thirrje mobilizuese për fushatën elektorale që kemi para”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai theksoi se fitoret ndërtohen përmes punës së vazhdueshme dhe angazhimit të përditshëm pranë qytetarëve.

“Fitoret nuk ndërtohen në ditën e zgjedhjeve, por në punën e përditshme, derë më derë, zemër më zemër”, thuhet në mesazhin e tij.

Sipas Abdixhikut, Fushë Kosovë është gati për sfidat politike që e presin, ndërsa bëri thirrje për punë dhe angazhim të përbashkët në vazhdim të fushatës.