Lumezi takon ambasadoren e SHBA-së në Mal të Zi, flasin për luftën kundër terrorizmit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në kuadër të konferencës për Bashkëpunim Ndërkufitar kundër Krimit, e cila po mbahet në Mal të Zi, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Judy Rising Reinke.

Njoftimi i dërguar për media thotë se kryeprokurori Lumezi e njoftoi ambasadoren Reinke me zhvillimet në sistemin prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës, për rezultatet arritura në luftimin e terrorizmit, si dhe për nevojën e Kosovës që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare si në INTERPOL dhe EUROPOL.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit e ka njoftuar ambasadoren amerikane edhe për bashkëpunimin e Kosovës me shtetet e rajonit dhe vendet tjera në parandalimin e rasteve të terrorizmit, duke theksuar se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, sepse krimet me të cilat po ballafaqohemi i tejkalojnë kufijtë kombëtarë duke paraqitur rrezik serioz për shtetet tona.

Ndërsa, ambasadorja e ShBA-së në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, theksoi se kjo është një sfidë dhe detyrim i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe se ky takim duhet të kontribuojë në rritjen e komunikimit ndërshtetëror, i cili është shumë i rëndësishëm për luftimin e krimeve transnacionale.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me një delegacion të Prokurorisë së Shtetit po marrin pjesë në konferencën për Bashkëpunim Ndërkufitar kundër Krimit e cila është organizuar nga Prokuroria e Shtetit të Malit të Zi dhe mbështetur nga Ambasada e ShBA-së në Mal të Zi.