Lul Raka tani thotë se Kurti nuk u testua: Gazetarja më nxori në lajthitje, i kërkojë falje kryeministrit

Mikrobiologu Lul Raka në mbrëmje deklaroi se kryeministri Kurti është testur për coronavirus dhe se rezultatet priten në mbëmje. Por, pas mohimit nga ana e zyrës së kryeministrit, ai doli me një reagim ku thotë se nuk kishte informata pasi ishte në terren dhe se ra në lajthitje nga pyetja e gazetares.

Mikrobiologu Raka, në një intervistë në Euronews Albania, pyetet nga gazetarja se kur pritetet të dalin analizat e kryeministrit Kurti, dhe ai thotë se ato dalin rreth orës 22:00 në mbrëmje.

Pas kësaj deklarate të tij, dhe interesimit të mediave, qeveria e ka mohuar se kryeministri është testuar.

Kjo ka bërë që mikrobiologu Raka të sqarohet për deklaratën e tij, duke thënë se ndodhej gjatë tërë ditës në teren, dhe ishte forma e pyetjes së gazetares që e nxori të jap atë deklaratë ku konstatonte se kryeministri ishte testuar për coronavirus. Ndërsa, tash pas marrjes së informatave në Institut, ai thotë se kryeministri Kurti dhe stafi i zyrës së tij, nuk janë testuar.

Lexoni të plotë sqarimin e mikrobiologut Raka:

SQARIM PËR ZHURMËN E KRIJUAR PËR TESTIMIN E KRYEMINISTRIT!

INTERVISTË ME EURONEWS ALBANIA, 11.05.2020, ORA 16:32

Gazetarja Euronews Albania: Nisim fillimisht me rastin e Kryeministrit në detyrë Albin Kurtin, mostrat e të cilit tashmë janë marrë. Kur priten analizat për Z.Kurti?

Unë: Rezultatet priten në mbrëmje (shih linkun në postim).

Biseda u zhvillua sot kah ora 16.30 pas kthimit tim nga terreni (spitali Sirona dhe Spitali i Gjilanit). Gjatë rrugës, në radio dëgjova për vetëizolimin e Kryeministrit dhe kjo ishte krejt informata që kisha.
Pyetja e gazetares për “kryeministrin, mostrat e të cilit janë marrë” po ashtu më gjeti para aktit të kryer se i paskan marrë edhe mostrat! Përgjigja ime ishte në mbrëmje (sikur çdo natë).
Kjo informatë paska zgjuar disa portale, të cilat kanë dhënë kontribut të çmuar gjatë pandemisë për informimin e drejtë të qytetarit. Brumin ua paskam dhënë unë vetë. Prandaj, mbase edhe nga lodhja, por dua të deklaroj këto 3 gjëra pas këtyre leksioneve të mësuara:

1. I kërkoj falje Kryeministrit, stafit të tij dhe qytetarëve të Kosovës për keqkuptimin që kam shkaktuar. Pandemia dhe politika janë simbiozë ideale për storie të medieve, që shpesh dalin jashtë kornizës reale. Shembull i tillë ishte edhe titulli i nxjerrë nga një intervistë para disa ditësh “Çka tha Lul Raka për Behxhet Pacollin”, edhe pse askund nuk përmenda emrin Behxhet!

2. Ky është sinjal që edhe unë duhet të pushoj pak nga mediet. Prandaj, falënderoj të gjitha mediet për kontributin e jashtëzakonshëm dhe bashkëpunimin e deritashëm në luftimin e infodemisë së COVID-19 në Kosovë. Kjo sfidë është maratonë dhe secili prej nesh duhet ta ruaj energjinë.

3. Nëse kam diçka për të thënë, do ta shkruaj në facebook vetë, pa uvertyrë të gazetarëve. Tashmë e di se edhe titulli që do të nxirret nga ky sqarim do të dalë në versione të ndryshme.

Natën!