Lul Raka dhe Ilir Tolaj përplasen për variantin e ri të Covid-19: Ti je analist i ambuliave

Mikrobiologu, Lul Raka dhe infektologu Ilir Tolaj janë përplasur lidhur me mutacionin e ri të Covid-19 që u shfaq në Britaninë e Madhe.

Raka ka dhënë informacione lidhur me variantin e ri të koronavirusit derisa ka kritikuar Ilir Tolajn i cili po kritikon menaxhimin e pandemisë në vend.

“Aktualisht nuk ka ndonjë të dhënë se ky virus është më i rrezikshëm se variantet paraprake. Ky variant i virusit përhapet shumë më lehtë dhe më shpejt. Përhapja më e lehtë dhe më e shpejtë rrit numrin e infektimeve dhe mbushjen e kapaciteteve spitalore duke e ngarkuar sistemin shëndetësor”, thotë Raka.

Ai thotë se Ilir Tolaj do të duhej të ishte në Klinikë duke u përballur drejtpërdrejt me Covid-19

“Pas njëjtë muajve unë një këshillë të vogël e kisha pasur për kolegun tim, një fjalë të urtë që e ka dhënë Abraham Lincoln, i cili ka thënë se është mirë të kritikosh vetëm nëse ke mirësinë që të ndihmosh. Punëtorët shëndetësor qe nëntë muaj janë në vijë të parë të frontit, janë lodh janë dërmuar, kanë bërë punë të jashtëzakonshme. Çdo kontribut është i mirëseardhur. Kishte me qenë mirë që doktor Iliri të vijë në Klinikën Infektive, t’i bashkëngjitet armatës së infektologëve  ose të shkojë në trajnime në spitalet rajonale, të kontribuojë dhe le ta shoh që jeta që bëhet në spital dhe klinika ku trajtohet Covid-19 është një botë krejt tjetër e cila zhvillohet jashtë dyerve të spitalit’, tha Raka i cili u ndërpre nga Tolaj.

“Nuk po du me të leju që me gabu më shumë”, i tha Tolaj – Rakës në Kanal10.

“S’je ti faktor që mos mem leju me gabu. Nëse gaboj, gaboj për veti”, shtoi mikrobiologu.

“Të kam shok dhe koleg dhe të respektoj dhe s’po du me të lënë me gabu në kuptim se nuk ke informata. Jam i gatshëm që të angazhohem në cilindo vend dhe në çfarëdo mënyre që ata e vlerësojnë. S’kam marrë përgjigje prej asnjërit prej tyre. Unë s’jam i nivelit të tillë që të shkojë dhe të protestojë para Klinikës sepse dikush s’mthirr për me punu. Kur fol për këtë punë duhet me i ditë për këto të dhëna, ke mujt me më pyet’, tha Tolaj duke treguar se edhe vetë Ministrit të Shëndetësisë i ka kërkuar që të ndihmojë në kohë të pandemisë.

“Edhe kritika bëhet për qëllime të mira meqenëse lufta kundër pandemisë është një luftë e të gjithëve. Kam mbi 30 vjet në Klinikë dhe e di se si është jeta në klinikë dhe jashtë klinike”, tha Tolaj duke treguar se për këtë çështje është shkolluar edhe jashtë vendit.

“Ky është baba i kësaj pune, askush tjetër nuk u shkollua jashtë. Le zotëri, ne kemi nevojë për njerëz në vijë të parë në këtë luftë’, thotë Raka.

“Unë nuk e konsideroj luftë dhe më vjen shumë keq që ty të dëgjon dikush si shumë në atë Institut se çka thua”, ia ktheu Tolaj.

“Mos e konsidero luftë sepse je bërë analist i ambuliave. Jo vetëm në Institut po edhe më lartë. Edhe ti më ke dëgjuar mua sepse prej fillimit kamë thënë rri në shtëpi e ti je tu ndejt në shtëpi qe 9 muaj ditë. Kolegët e tu kanë vdekur e ti kallxon përralla këtu’, theksoi Raka.

Tolaj mendon se në Kosovë të infektuar me Covid-19 janë rreth 400 mijë njerëz.