Kryeterroristi serb, Millan Radoiçiq, Nikola Petroviq, kumbara i presidentit të Serbisë dhe gruaja e kumbarës së Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviq, po blejnë prona të reja të vlefshme në një vend prestigjioz në Beograd.

Sipas BIRN-it në Beograd, në parcelat e Dedinjes të Radoiçiqit dhe gruas së Veselinoviqit po ndërtohen vila luksoze, dhe emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre pasurive të paluajtshme është Davor Macura, pronari i bankës Alta, i cili shpesh është përmendur si i lidhur me partinë e Aleksandar Vuçiq – Partia Përparimtare Serbe në pushtet, transmeton Ballkani.info.

Nga fundi i vitit të kaluar e deri më sot, Radoiçiq, Ljiljana Bozhoviq, bashkëshortja e Zvonko Veselinoviqit dhe Nikolla Petroviq, kumbari i presidentit të Serbisë, janë bërë pronarë të mijëra metrave katrorë tokë në Dedinje, dhe parcelat e tyre ndodhen pranë njëri tjetrin.

Siç zbulon BIRN, investitori që po ndërton një ndërtesë banimi me një sipërfaqe totale prej 1550 metrash katrorë në parcelën e Radoiçiqit është kompania Danica Park e Davor Macura, pronari i Alta Bank, i cili shpesh lidhet me SNS-në në pushtet.

Tre objekte që ndodheshin në këtë parcelë janë rrënuar muaj para se të jepeshin lejet e nevojshme.

Leja e ndërtimit më vonë miratoi shembjen e vetëm njërës prej këtyre tre objekteve, por deri atëherë të trija tashmë ishin rrënuar.

Në parcelën e Ljiljana Bozhoviqit po ndërtohet një objekt banimi prej 1716 metrash katrorë, ndërsa Nikolla Petroviq para pak kohësh ka hyrë në posedim të dy parcelave, të cilat ndodhen mes tokës së Bozhoviqit dhe vilës së tij, e cila më parë ishte e njohur për publikun. Këto parcela më parë ishin në pronësi të kompanisë së Macurës “Danica Park”.

Bozhoviq e bleu parcelën nga “Danica Park” në tetor të vitit të kaluar, ndërsa Petroviq ishte regjistruar si pronar në vend të “Danica Park” në mars të këtij viti.

Në një parcelë që tani është në pronësi të Petroviqit, një ndërtesë legale prej gati 550 metrash katrorë është regjistruar në kadastër dhe pamjet e fundit nga BIRN tregojnë se në atë parcelë nuk ka një ndërtesë të tillë. Nuk ka asnjë dokumentacion të disponueshëm publikisht që do të tregonte se mbi çfarë baze është prishur kjo ndërtesë.

Parcela e dytë e sapo përvetësuar e Petroviqit më parë ishte në pronësi të Novica Tonçevit, nënkryetar aktual i Qeverisë së Serbisë dhe një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste të Serbisë. Tonçevi e humbi parcelën pasi me kërkesë të Danica Park u anulua vendimi i vitit 2010 për legalizimin e objekteve në atë parcelë. /Ballkani.info/