Lugina me reagime në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së

Krerët politikë të Luginës së Preshevës kanë reaguar në mbështetje të vlerave dhe luftës së UÇK-së, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. “Lufta e UÇK-së ishte dhe do të vërtetohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë, dhe e imponuar nga politika dhe represioni që Serbia ushtronte mbi popullatën e pa mbrojtur të Kosovës”, ka shkruar Ardita Sinani, kryetare e degës së PVD-së në Preshevë.

Ajo ka thënë se beson fuqishëm në pastërtinë dhe vlerat e UÇK-së. Edhe kryetari i LPD-së Shqiprim Musliu, reagimij e tij e ka shoqëruar në reagimin e tij një fotografi me Hashim Thaçin dhe babain e tij të ndjerë, aktivistin ushtarak e politik të Luginës së Preshevës Jonuz Muzliun.

“I prekur thellë me veprimet e fundit në Kosovë, posaçërisht me dorëheqjen e presidentit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi. Gjithmonë krenar me luftën e UÇK-së, me luftën e Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit, e shumë e shumë luftëtarëve tjerë për liri. Të gjithë duhet të jemi të unifikuar përballë çdo padrejtësie si dhe kundër çdo iniciative që synon të njollosë vlerat më të çmuara të një ushtrie të drejtë e cila luftoi për liri e drejtësi. Në këto momente jemi pranë familjeve të çlirimtarëve tanë dhe jemi thellë të bindur se drejtësia do të triumfojë dhe çlirimtarët do të jenë në mesin tonë”, ka shkruar Musliu.