Luftë ose armëpushim, numërimi mbrapsht ka filluar pas thirrjes së Ukrainës për bisedime ne Rusinë

Numërimi mbrapsht ka filluar! Ukraina ka bërë thirrje për takim me Rusinë dhe anëtarë të tjerë të një grupi kyç të sigurisë evropiane lidhur me përshkallëzimin e tensioneve në kufirin e saj.

Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba tha se Rusia kishte injoruar kërkesat zyrtare për të shpjeguar ngritjen e trupave. Ai tha se “hapi tjetër” ishte të kërkohej një takim brenda 48 orëve të ardhshme për “transparencë” në lidhje me planet e Rusisë. Rusia ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi i rreth 100 mijë ushtarëve në kufijtë e Ukrainës.

Kuleba tha se Ukraina kishte kërkuar, të premten, përgjigje nga Rusia sipas rregullave të Dokumentit të Vjenës, një marrëveshje për çështjet e sigurisë të miratuar nga anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila përfshin Rusinë.

“Nëse Rusia është serioze kur flet për pandashmërinë e sigurisë në hapësirën e OSBE-së, ajo duhet të përmbushë angazhimin e saj për transparencën ushtarake në mënyrë që të de-përshkallëzojë tensionet dhe të rrisë sigurinë për të gjithë”, tha ai, shkruan BBC.

Disa vende perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia po përgatitet për një pushtim, me ShBA-në që thotë se mund të fillojë me bombardime ajrore “në çdo kohë”.

Më shumë se një duzinë kombe u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina dhe disa kanë tërhequr stafin e ambasadës nga kryeqyteti, përfshirë SHBA-në.

Nga ana e tij Presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi të dielën një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy, një ditë pasi i tha presidentit rus Vladimir Putin se Perëndimi do të përgjigjej me vendosmëri ndaj çdo sulmi të mundshëm.

Shtëpia e Bardhë tha se në telefonatën me zotin Zelenskiy “Presidenti Biden rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Dy udhëheqësit ranë dakord se është e rëndësishme që të vazhdojnë përpjekjet diplomatike në përgjigje të grumbullimit të trupave ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në ditët e ardhshme dhe mund të krijojë një pretekst të rremë për një ndërhyrje të mundshme.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha për CNN-in se Uashingtoni nuk mund ta parashikojë me siguri absolute ditën e ndërhyrjes por se një sulm rus në Ukrainë mund të ndodhë nga dita në ditë.