Lufta me COVID-19, rikthehen masat kufizuese, paralajmërohet mungesë e vaksinës kundër virusit

Duke nisur nga kjo e shtunë Franca rivendos shtetrrethimin në 15 rajone verilindore dhe juglindore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Bllokimi nis që në orën 18:00. Ndërkohë në Francën veriperëndimore, rreth 2,500 persona u bënë pjesë e festimeve të Vitit të Ri në Lieuron, Brittany, duke shkelur rregullat aktuale të shtetrrethimit dhe u përleshën me policinë që nuk arriti t’i ndalonte.

Franca ka numrin më të lartë të rasteve COVID-19 në Evropën Perëndimore dhe renditet e pesta në botë.

Ndërsa numri i të infektuarve rritet, Britania riaktivizon spitalet e emergjencës. Shpresat e qeverisë për një lehtësim të mundshëm pas Vitit të Ri po veniten.

Kthesa nis me shtyrjen e rihapjes së shkollave në disa rajone, të cilat ishin parashikuar të rinisnin në 4 janar. Ndërsa spitalet po përballen sërish me presionin e mbingarkesës kryesisht me të sëmurë në gjendje të rëndë.

Spitalet në Londrën lindore janë nën presion të jashtëzakonshëm. Rastet e reja të të infektuarve kaluan shifrën 50,000 për të katërtën ditë me radhë, gati 24,000 njerëz në spital dhe 613 viktima.

Shkencëtarët konfirmuan se varianti i ri i koronavirusit ndikoi në rritjen e shifrave.

Sipas universitetit John Hopkins edhe SHBA-ja regjistron në total një rekord me më shumë se 20 milionë të infektuar. Ende ditët e para të vitit 2021 janë disi të zymta pasi lufta për t’i dhënë fund pandemisë vijon.

Ditën e parë të Vitit të Ri, dhjetëra njerëz qëndruan në radhë në bashkinë e qytetit të Meksikos për t’u furnizuar falas me oksigjen, kryeqyteti është një nga zonat më të goditura nga pandemia.

Meksiko po përballet me një rritje të rasteve me COVID-19 dhe 87% e spitaleve janë të zënë me pacientë COVID duke vështirësuar furnizmimin me oksigjen. Ccka ka shkaktuar që njerëzit të dalin të kërkojnë për oksigjen e po ashtu edhe çmimet të rriten. Për shkak të fluksit radhët e njerëzve janë të gjata e procesi zgjat me disa orë.

E ndërsa pothuajse kudo ka nisur vaksinimi, themeluesit e BioNTech paralajmërojnë për mungesë të vaksinave.

Kompania ka kritikuar BE-në se ka porositur më shumë doza të vaksinës kundër koronavirus, duke shtuar se tani po garon edhe me partnerin e saj amerikan, Pfizer, për të rritur prodhimin, mes frikës se do të krijohet një “hendek” evropian, të lënë nga mungesa e vaksinave të tjera të miratuara.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka aprovuar vaksinën Pfizer / BioNTech për përdorim emergjent, duke hapur rrugën që vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të fillojnë të imunizojnë popullatat e tyre kundër COVID-19.