“Lufta e shenjtë” e Putinit terrorizon Ukrainën dhe disidentët rusë që kërkojnë një gjë: Të mos i harrojmë

Nga: Rafael Behr, The Guardian

Prillin e kaluar, Masha Moskaleva – një vajzë 12-vjeçare nga rajoni i Tulës në jug të Moskës – gjatë orës së artit ka bërë një vizatim me të cilin e mërziti arsimtaren e shkollës. Arsimtarja vrapoi te drejtori; drejtori thirri policinë; Policia thirri FSB-në – Shërbimin e Sigurisë Shtetërore të Rusisë – që e mori Mashan në pyetje. Babai, prindi i vetëm i saj, u arrestua, u rrah, u gjobit dhe u vendos në arrest shtëpiak. Vajza e tij u mor nën kujdes shtetëror.

Krimi i Moskalevas ishte “diskreditimi i ushtrisë” – shkelje e ligjit të miratuar pas pushtimit të Ukrainës, që kriminalizon shpërndarjen e së vërtetës. Ligji parasheh dënimin maksimal me pesë vjet burg. Vizatimi i Mashas shfaqte një grua dhe një fëmijë, dorë për dore, pranë flamurit ukrainas. Nga një flamur rus në të cilin shkruhej “Jo luftës”, raketat fluturonin drejt tyre.

Vetëm këto fjalë – net voine në rusisht – janë të mjaftueshme për ta nxitur ndjekjen penale. Dhe, jo vetëm fjalët. Mund të arrestoheni për mbajtjen e një tabele që thjeshtë lë të kuptohet slogani me asteriskë – *** *****.

Kur kërkesa e shtetit represiv për uniformitet ideologjik e ballafaqon kapacitetin njerëzor për mendim të lirë, rezultat është terrori, por edhe absurdja. Derisa zgjerohet hendeku mes versioneve zyrtare të së vërtetës dhe realitetit, pushteti qendror këmbëngul për nivelet gjithnjë e më groteske të pranimit. Bindja pasive nuk është më e mjaftueshme. Qytetarët duhet të poshtërohen me shfaqjen e besnikërisë. Arsimtarja e artit të Masha Moskalevas nuk i kishte kërkuar klasës të bënte çfarëdo vizatimi. Udhëzimi ishte të bëhej diçka për ta lartësuar “operacionin special ushtarak” në Ukrainë.

Kërkesa për veprimin e ideologjisë, jo vetëm nënshtrimi, sinjalizon rrugën e shtruar – që nga pushtimi i Ukrainës – të Vladimir Putinit nga qeveria autoritare drejt asaj totalitare.

Lufta u konceptua me gënjeshtër: nocioni i çmendur i Putinit se Ukraina nuk ishte shtet i vërtetë, se njerëzit e saj ishin robër të juntës së droguar neo-naziste dhe se ata do ta mirëprisnin pushtimin rus si çlirim nga vëllezërit e tyre sllavë.

Kur ukrainasit u kundërpërgjigjën, linja zyrtare e Kremlinit u zhvendos në diçka edhe më të keqe. Njerëzit që nuk dorëzoheshin me vullnet, duhet të terrorizohen për t’u nënshtruar. Bombardimi i fundit i rrëmujshëm me raketa, të mërkurën mbrëma në Herson dhe në Lëviv, nuk i shërben asnjë funksioni taktik të fushëbetejës. Qëllimi është dobësimi i shtetit ukrainas, si parathënie e eliminimit të Ukrainës nga kultura e veçantë – si komb. Toni i disa ekspertëve në kanalet propagandistike të Kremlinit, në mënyrë eksplicite është gjenocidal. Ky është fronti i dytë i luftës i zhvilluar kundër ndërgjegjes ruse – sulm i gjithanshëm mbi faktet, provat, realitetin, përcjell Telegrafi.

Raporti i kohëve i fundit i kryer nga OVD-Info – grupi kryesor rus i të drejtave të njeriut – dokumenton rreth 20 mijë raste ku njerëzit janë arrestuar për veprimet kundër luftës të cilat mund të përfshijnë çdo gjë – që nga ndjekja e një demonstrate e deri tek shpërndarja e vegëzave të mediave të pavarura në internet. Ka raste të personave të ndaluar për shprehje të mospajtimit në biseda private, ose thjeshtë për lidhjet me njerëzit e njohur që kundërshtojnë luftën. Brutaliteti i policisë është rutinor, siç është edhe zbatimi jozyrtar i ashpërsisë së doktrinës përmes telefonatave kërcënuese, vandalizmit, rrahjes dhe largimeve arbitrare nga puna.

Në klimën e tillë, është vështirë ta dallosh kufirin midis mbështetjes së vërtetë për Putinin dhe frikës për të shprehur diçka tjetër. Sondazhet e opinionit janë goxha të pabesueshme në një mjedis ku edhe t’u thuash miqve se çfarë mendon kjo me të vërtetë mund të jetë vepër penale.

Por, edhe disidentët më optimistë pranojnë se janë pakicë dhe se shumë nga bashkatdhetarët e tyre e kanë përvetësuar historinë zyrtare – se Perëndimi e provokoi luftën si pjesë e një fushate për ta rrethuar dhe copëtuar Rusinë (të përcaktuar jo nga kufijtë e saj ekzistues, por si një entitet i lashtë perandorak në terrenin e mbuluar nga Bashkimi Sovjetik).

Ky version i ngjarjeve ka gjithashtu mjaftë blerës përtej kufijve të Rusisë, duke e kalitur opinionin publik – në mbarë botën – te vendet që shpeshherë kanë mësuar nga përvojat e veta të hidhura koloniale, që të kenë pikëpamje skeptike të motiveve perëndimore në çështjet ndërkombëtare. (Narrativa e shtrembëruar i Putinit për viktimat ruse ka gjithashtu dëgjues të vëmendshëm në ekstremet e shoqërive demokratike.)

Ky ka qenë thelbi i mitologjisë së Kremlinit, shumë kohë para pushtimit të Ukrainës. Fuqia e Putinit bazohet në premtimet për ta rivendosur dinjitetin rus – pas zhvlerësimit dhe paligjshmërisë endemike që pasoi rënien e sundimit të Partisë Komuniste.

Por, në vend që ta spastronte gangsterizmin oligark, ai e nacionalizoi atë. Shërbimet e sigurisë u bënë, në fakt, klani dominues mafioz me Putinin si capo di tutti capi [shefi i shefave]. Dogma rilindëse neo-sovjetike ishte betimi për besnikërinë.

Ky model nuk arrinte shumë me ekonominë politike. Derisa ngecin standardet ruse të jetesës, Kremlini mbështetet në masat gjithnjë e më autoritare të kontrollit, të shoqëruara me provokimet kundër Perëndimit dhe vendeve fqinje, duke e fryrë kërcënimin e huaj për ta mbajtur mentalitetin e rrethimit dhe duke përshkruar mospajtimin politik si një lloj tradhtie.

Lufta e Ukrainës e ndoqi këtë trend, madje shumë e përshpejtoi atë. Putini luajti kumar me sulmin e shpejtë ushtarak, ai humbi dhe tani është i përkushtuar ndaj tiranisë dhe luftës së plotë si mënyrë jetese; lufta është si një mision kombëtar. Në fjalimet presidenciale dhe në kanalet propagandistike të Kremlinit, kauza përshkruhet si kryqëzatë. Ushtarët e rekrutuar hidhen në luftë me pak stërvitje dhe me armatim të dobët përballë mbrojtjes së Ukrainës, si sakrificë njerëzore për ta mbrojtur Rusinë nga korrupsioni shpirtëror – nga shthurja perëndimore. Është luftë e shenjtë.

Nxënësit rusë ndjekin mësimet e detyrueshme të propagandës, të përshkruara në kurrikulë si “biseda për atë që është e rëndësishme”, me fokus në “temat patriotike” kur përfshihet virtyti për të vdekur për atdheun. Nuk është për t’u habitur se qindra-mijëra njerëz kanë ikur jashtë vendit. Duke qenë përgjithësisht të rinj dhe të aftë, të mërguarit paraqesin ikje të trurit nga një vend që po rrëshqet në një bandë të pamend. Putinit ndoshta nuk i vjen keq kur i sheh ata teksa largohen.

E, çfarë ndodhë me ata që qëndrojnë, por që i mbajnë sytë hapur ndaj të vërtetës? Vetëm një pakicë e vogël e ngre zërin. Sepse, shumë të tjerë janë zmbrapsur në vendin ku disidentët sovjetikë e quajtën emigracion i brendshëm, duke i kultivuar dy vetvete – një për shfaqjen publike dhe një për shoqërinë e besueshme? Ata janë të panumërt. E di që ekzistojnë, sepse shumica e miqve të mi rusë janë në atë numër.

Ata nuk kërkojnë simpati, sepse e dinë se detyra e parë e dhembshurisë perëndimore është ndaj viktimave ukrainase – viktimave të një regjimi kundër të cilit demokratët e Rusisë janë treguar të pafuqishëm.

Ata vetëm kërkojnë që të mos harrohen. Kërkojnë që aleatët ushtarakë të Kievit të mendojnë gjithashtu për mbështetjen e organizatave që e mbajnë gjallë idenë se një Rusi më e mirë është e mundur, pavarësisht se sa e largët duket sot – sepse Ukraina nuk mund të jetë e sigurt nga agresioni rus përderisa rusët në numër mjaftueshëm nuk guxojnë të thonë zëshëm se vendi i tyre ishte agresori.

Është penguar përparimi i Putinit në Ukrainë, por ekziston një front i dytë – arena e brendshme ruse ku realiteti i bazuar në fakte përballet me një breshëri të pamëshirshme të gënjeshtrës dhe terrorit. Putini ka vënë bast totalitar se vetë e vërteta është në varësi të vullnetit të tij. Demokracia e Ukrainës nuk është e vetmja ajo që ka nevojë që ai të dështojë.