“Lufta” e peshkut Shkup-Prishtinë. Maqedonia bllokon importin nga Kosova

Që nga 1 qershori, Hysen Bytyqi nuk po mund ta eksportojë peshkun e gjallë në Maqedoninë Veriore.

Si eksportues prej 10 vjetësh në këtë vend, ai tregon se për këtë ndalesë u informua nga partneri i biznesit.

Top Channel ka siguruar shkresën e Dhomës së Tregtisë në Maqedoni, në të cilën thuhet se është bërë ndryshimi i listës së shteteve që ju është dhënë e drejta, për import të peshkut të gjallë.

Shkresa thotë se në bazë të rregullores për import dhe transit për mënyrën e veprimit, listës së vendeve të treta u ndalohet importi i peshkut të gjallë të cilët dedikohen për rritje, mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël dhe objekteve të hapura për zbukurim e që janë me prejardhje nga Kosova.

Por, në asnjë pjesë shkresa nuk tregon arsyet.

Madje, për këtë vendim nuk i kishin informuar as autoritetet kosovare.

Pas njoftimit nga bizneset, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kërkuar arsyetim me shkrim duke u bazuar në rregullat ndërkombëtare për tregti të lirë.

Edhe ambasada e këtij shteti në Prishtinë, i ka thënë Top Channel se nuk kanë informatë zyrtare për këtë bllokadë.

Maqedonia ka qenë ndër tregjet më të rëndësishme për prodhuesit e Kosovës, për shitjen e peshkut të gjallë.

Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në sasi të 26 tonelatave dhe vlerë të 100 mijë eurove.